Shkarkimi i papritur i Elisa Spiropalit nga posti i ministres sëJashtëm vazhdon të ngjallë reagime. Një nga arsyet kryesore që lidhen me largimin e saj është aktiviteti ndërkombëtar që thuhet se ka tërbuar kryeministrin Edi Rama.
Spiropali kishte akses në qarqe vendimmarrëse në Gjermani dhe është pranuar në ChinaClub Berlin, një klub shumë me influencë lobuese ku Rama nuk shkel prej kohësh. Sipas deputetit Belind Këlliçi ky akses e vendosi Spiropalin në qendër të vëmendje duke i kushtuar dhe shkarkimin.
“Logjika e thjeshtë të çon te fakti se për shkak të aksesit që iu dha, edhe në Gjermani, në një prej klubeve më me influencë si China Club në Berlin, ku janë disa fuqi vendimmarrëse të rëndësishme dhe ku Edi Rama nuk shkel më prej kohësh, kishte hyrë Elisa Spiropali”, tha Këlliçi. Kujtojmëse Rama ka qenë shumë i ashpër me Gjermaninë në mbledhjen me vartësit e tij ku komunikoi shkarkimin e Spiropalit.
Kryeministri fshikulloi gjermanët për ndërhyrje në dosjet e SPAK, sidomos dosja e AKSHI-t dhe ajo për tenderin e Porto Romanos, ku janë skualifikuar kompani me reputacion ndërkombëtar. “Po shfrytëzojnë dobësitë tona për të na penguar”, mësohet të ketë thënë Rama ndër të tjera në fjalimin e tij rreth 30 minuta kushtuar pikërisht për rolin e Gjermanisë kundër qeverisë së tij duke përdorur në këtë rast influencën në SPAK dhe kanalet e tjera diplomatike.
Rama foli edhe për influencën gjermane në disa media ndërkombëtare për të goditur qeverinë e tij, sidomos në rastet e fundit të dosjes Balluku dhe AKSHI-t.
Mesazhet për shkarkimin e Ballukut nga SHBA
Për më tepër, vizita e fundit e Spiropalit në SHBA dhe pritja në Departamentin Amerikan të Shtetit e vuri atë në një pozitë të fortë. Thuhet madje se ish-ministrja i ka përcjellë ultimatumetnga Uashingtoni Edi Ramës për shkarkimin e Belinda Ballukut. Kjo e xhindosi Ramën.
Kryeministri nuk i kurseu pakënaqësitë publike për të, ndërsa me dyer të mbyllura ka qenë edhe më i ashpër. “Ju shkoni në dyert e ambasadave dhe shani njëri-tjetrin.
Kjo është e papranueshme! Ne duhet të jemi bashkë” ka qenë fraza që Edi Rama ka përsëritur në Pallatin e Brigadave disa ditëmë parë, duke ju drejtuar veçanërisht Spiropalit. “Ç’është kjo punë?! Ne socialistët ia fusim njëri-tjetrit”, është shprehur më tej kryesocialisti, duke ju referuar edhe zhvillimeve në selitë diplomatike.
Debati jashtë kamerave
Përveç shkarkimit nga qeveria si një hakmarrje e Belinda Ballukut, përndjekja politike ndaj Elisa Spiropalit duket se do të vijojë edhe brenda Grupit Parlamentar të PS-së. Të paktën sinjalet e para u dhanë në Kuvend.
Pak minuta para se të niste seanaca, ish-ministrja dhe ish-kryetarja e Kuvendit mbërriti në sallë, me shpresën se do t’i kishin rezervuar një ulëse të mirë mes deputetëve. Por mediat raportuan se, Spiropalit iu tha se duhej të shkonte në fund të sallës. Pikërisht aty ku qëndrojnë deputetë rrogëtarë të rëndomtë që s’kanë asnjë lidhje me parlamentin, por vetëm sa çojnë dhe ulin dorën sipas direktivave të partisë.
Këtu nisi një debat verbal dhe kundërshti e hapur e saj me shërbimet e Kuvendit dhe të vetë grupit parlamentar socialist. Pas disa minutash debati, u arrit të bëhej një spostim në sallë për t’i liruar vendin Elisa Spiropalit, thjesht që ajo të mos ishte në fund të sallës ku kishte zgjedhur ta poshtëronte partia e saj.
Natyrisht që Taulant Balla edhe pse s’ka ndonjë marrëdhënie të mirë më Spiropalin, spostimin e saj në fund të sallës si ato nxënësit ngelësa, nuk do të guxonte ta bënte pa një shkelje syri ngë shefi i tij, Edi Rama. Prej shkarkimit nga qeveria e deri te spostimi në fund të sallës duket sikur Elisa Spiropali është në një fazë riedukimi nga partia e saj.