Opinionistët politikë komentuan në “Kosova Today” takimin mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe mundësinë e një bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme mes dyshes.
Opinionisti Avni Arifi tha se takimi ishte miqësor, por mund të lidhet me diskutimin për angazhimin dhe formën e një koalicioni të mundshëm Vjosa-LDK. ‘Një gjë dihet se këta do të jenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme.
Sigurisht ka qenë takim mes miqsh, por për të folur për angazhimin dhe formën si do të racionalizohet koalicioni Vjosë-LDK’, tha Avni Arifi.
Ndërkaq, gazetari Vullnet Krasniqi theksoi se ky takim nuk ishte thjesht miqësor, duke aluduar te pritja katër-orëshe e gazetarëve dhe mungesa e një paraqitjeje të përbashkët. ‘Këto zgjedhje munden me prodhu një rezultat që mund të sjell shumë ekstreme.
Takimi mes Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit nuk ishte takim mes miqsh, sepse në të kundërtën s’do të i linin të prisnin 4 orë gazetarët.
Unë prita që me dal bashkë, që me kanë shpresë për votuesit e LDK-së, ata të dy as bashkë nuk dolën.
Dy miq nuk dalin një pas një, ishte takim për me u marrë vesh’, tha Krasniqi.
Në anën tjetër, opinionit Azdren Shala shtoi se ka përpjekje për ta prezantuar koalicionin si një premierë kur në fakt është reprizë.
Sipas tij, pavarësisht formës së bashkëpunimit, rritja e mbështetjes për LDK-në do të jetë minimale. ‘Këta po mundohen me na shitë si premier reprizën, është lajm i vjetër që këta kanë me garu bashkë, por kush ka me i pri listës. Çfarëdo formati që garon LDK-Vjosa, besoj se do të ketë rritje, por ka me qenë minimale, jo sa janë pritje’, tha Shala.