Hetuesi Idriz Gashi u suspendua nga Policia e Kosovës.
Kjo pasi një portal i afërt me Vetëvendosjen, publikoi një lajm se kinse ai ka qenë pjesëmarrës në fushatën e PDK-së.
Idriz Gashi ka qenë prej hetuesve më të njohur në Njësinë e Veçantë të Policisë e cila e heton korrupsionin. Ai ka hetuar një pjesë të aferës së Nagip Krasniqit dhe rezervat shtetërore.
Pas publikimit të lajmit në portalin e afërt me pushtetin, ministra e zyrtarë të lartë të VV-së reaguan ashpër.
Megjithatë, po del se fotografia e publikuar nga ky portal ka qenë falsifikim.
Hetuesi Gashi e ka marrë avokat Arianit Kocin i cili do të dorëzojë kallëzim penal.
“Nëse ka një hetues në polici për të cilin kam mendim të mirë si profesionist dhe njeri i ndershëm, ai është Idriz Gashi. Prej dje, ai është i suspenduar! Suspendimi është një hap procedurial fillestar, dhe Idriz Gashi ka të drejtën e tij për të paraqitur faktet dhe mbrojtjen. Organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm”, ka shkruar në fillim avokati Koci.
Ai ka konfirmuar se klienti i tij nuk ka qenë pjesëmarrës në fushatën e PDK-së.
“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është FALSIFIKUAR! Hetuesi policor Idriz Gashi NUK KA QENË pjesë e atij tubimi. Për këtë, klienti i im ka prova materiale! Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj KALLËZIMIN PENAL për falsifikimin e fotos. Ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e një zyrtari dhe për të dërguar një mesazh të qartë: drejtësia nuk do të tolerojë manipulime të tilla”, ka shkruar Koci.
Koci ka shtuar se ky suspendim është përpjekje për delegjitimimin e institucioneve shtetërore.
“Le të shërbejë ky rast si një m për forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve tona. “E vërteta gjithmonë del në dritë, por kërkon guxim dhe drejtësi.” P.S. Shpresoj që suspendimi të mos dekurajojë hetuesit e tjerë në ndjekjen e rasteve penale. Ne anen tjeter, ky rast duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore”, ka shkruar Arianit Koci.
Dje mediumi Demokracia publikoi fotografitë të cilat dëshmojnë se hetuesi Gashi nuk ka qenë në fushatën e PDK-së. Por në një ndejë me bashkëfshatarët të mbajtur në vendin e njëjtë, disa orë pas fushatës.
Ministrja Albulena Haxhiu, ministri Hekuran Murati, Dejona Mihali, e zyrtarë të tjerë të lartë, kanë propaganduar se hetimet e aferave korruptive ndaj tyre, janë nga njerëz të PDK-së.
Nacionale kishte raportuar se ky hetues ishte në mesin e hetuesve që ishin ‘spastruar’ nga Njësia pas ardhjes në pushtet të VV-së.
Manipulimi me fotografi
Një portal i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Kosovanews.net, është përfshirë në një fushatë dezinformimi për të dëmtuar reputacionin e hetuesit të njësisë së veçantë të Policisë së Kosovës, Idriz Gashit. Përmes një artikulli të publikuar së fundmi, ky portal ka përdorur foto të manipuluara për ta përfshirë atë në një ngjarje politike, duke tentuar të krijojë një lidhje të pavërtetë mes tij dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në fshatin Rezallë të Skenderajt, PDK organizoi një tubim me simpatizantë, pas së cilit u mbajt një ndejë nga bashkëfshatarë dhe miq të ardhur nga diaspora. Ndeja, që kishte karakter krejtësisht privat, përfshinte muzikë dhe nuk kishte asnjë politikan të pranishëm. Idriz Gashi ishte pjesë e kësaj ndeje si i ftuar, por ngjarja nuk kishte asnjë lidhje me tubimin politik të PDK-së, shkruan Demokracia.com
Pavarësisht kësaj, Kosovanews.net përdori fotografi nga të dyja ngjarjet dhe i montoi për të krijuar idenë se Gashi ishte pjesëmarrës në një aktivitet politik. Ky manipulim u shpërnda shpejt në mediat sociale nga përfaqësues të qeverisë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lavdim Deliu, personi të cilit i ishin keqpërdorur fotot në këtë manipulim, ka reaguar në profilin e tij në Facebook, duke sqaruar situatën:
“Portaili kosovanews.net e paska keqpërdor emrin tim për qëllime politikë të partis në pushtet.
Më duhet të sqaroj që ajo që ka shkruar ky portal është një gënjeshtër.
E para videon e kam larguar nga profili im sepse na ka ndodhur nje rast vdekje në familje dhe aty kishte muzikë dhe nuk e pashë të ndershme të mbajë videon. E dyta, foton që ky portail e kishte nxjerrë nga tubimi i PDK-së dhe që kishte tentuar me i lidh me foton e zyrtarit policor Idriz Gashit, zyrtar ky i cili rrjedh nga një familjë patriotikë e ndershëm dhe e respektuar jo vëtëm në fshatë por dhe me gjerë janë montazhë e portalit. PDK është e verte të qe ka majtur tubim në fshatin Rezallë.
Por po ashtu është e vërtetë qe pasi kanë shkuar PDK, ka vazhduar një ndejë me muzikë më bashkëfshatar, miq e dashamirë, por pa politikanë. Dhe foton e zyrtarit policor te Idriz Gashi që e kishin nxjerrë portali kosovanews.netështë e ndejës pa politikan. Pra kosovanews.nete paska bërë montazh duke u mundu me i ndërlidhë ngjarjet gjë që s’është e vërtetë”, shkruan në profilin e tij, Lavdim Deliu.
Në fotot origjinale nga tubimi i PDK-së, janë të dukshme të gjitha këndet ku ishin ulur kandidatët për deputetë dhe mbështetësit e partisë. Në asnjë prej këtyre fotove nuk shihet Idriz Gashi dhe as personat që shfaqen me të në fotot që u publikuan më vonë nga portali i lartpërmendur.
