Partitë opozitare dhe mediat kanë qenë cak i sulmeve të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin gjatë kësaj fushate zgjedhore, e cila përfundon në më pak se një javë. Së fundi, lideri i partisë përmendi edhe “një ndërkombëtar”, derisa po u fliste aktivistëve të tij.
Gjatë një tubimi të premten në qytetin e Gjakovës, Kurti i cilësoi fillimisht partitë opozitare si jo vetëm kundërshtare të tij, por edhe të qytetarëve.
Sipas kreut të Vetëvendosjes, ata më herët thonin se “Qeveria do të bie”, e madje, shtoi se edhe një ndërkombëtar iu bashkua këtyre deklaratave.
“Këta kundërshtarët e mi e të juaj, këta prej vitit 2021 u thoshin aktivistave të vet në vjeshtë po bjen qeveria, në vjeshtë ka zgjedhje, në vjeshtë thoshin në pranverë kë zgjedhje, muajin e ardhshëm po bjen qeveria, e nijtëm ni ndërkombëtar që tha ky muaj nuk i zë, të dashur qytetarët, hajt një javë, hajt një muaj, hajt një stinë, u bën 4 vjet, e kur po menojnë që janë edhe katër të tjera, dojnë me u tranu” – u shpreh Kurti, duke mos treguar për cilin“ndërkombëtar” e ka fjalën.
Në po të njëjtin tubim, Kurti pati edhe sulme të tjera të ulëta ndaj opozitës. Atje kryeministri përdori nj fjalor rruge, duke thënë se “opozita duhet të mudnet fëlliqtë”.
“Unë jam krejt në këtë masdite në Gjakovë, dhe nuk kam qare pa iu tregu çka po më thonë. Nga do që po shkoj po i takoj dy grupe të njerëzve, kanë edhe pak dallime moshe, dorën në zemër, po nuk është kjo kryesorja. Një grup po me thonë më 9 shkurt duhet me i mujtë fëlliqtë, e një grup po me thonë më 9 shkurt duhet me u mujtë pastër. Po të dy grupet po pajtohen që duhet me i mujtë ata. Amo nuk duhet veç me i mujtë, duhet 500 mijë vota” – ka thënë Kurti.
Atje kryeministri tha edhe se me “nuk votohet për kusheri, nuk votohet për me i shti në punë militantët”.
“Prandaj, më nëntë shkurt, votohet për republikë, votohet për komb, votohet për ekonomi, nuk votohet për kusheri, nuk votohet për me shti në punë një militant partie.
Vlen të theksohet se Kurti kishte bërë një thirrje të ngjajshme edhe para fitore së tij në vitin 2021.
“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria” – deklaronte ai.
