I shoqëruar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, strategu i fushatës së demokratëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Chris LaCivita mori pjesë në një takim me të rinjtë e FRPD, në Tiranë.
Chris LaCivita u shpreh se kjo fushatë ka të bëjë ekonominë dhe të ardhmen, prandaj ju duhet të ngriheni dhe zëri juaj të dëgjohet.
Teksa solli shembullin amerikan, ai tha se të rinjve u intereson siguria personale dhe ekonomike, ndaj ata ju përgjigjen shumë mirë thirrjes së Presidentit Trump.
Teksa iu përgjigj interesimit të të rinjve, Chris LaCivita u shpreh Zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga SHBA.
FJALA E CHRIS LACIVITA
Mirëmëngjes! Faleminderit për ftesën tuaj! Është një ditë e bukur!
Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në politikë, qoftë në Shtetet e Bashkuara apo këtu në Shqipëri, të rinjtë dhe votuesit e rinj të përfshihen dhe të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre, sepse e ardhmja jeni ju.
Unë mendoj se politikat e 12 viteve të fundit e kanë bërë shumë vështirë të ardhmen dhe për mundësitë për të rinjtë. Por shumë nga politikat që sjell Dr. Berisha, synojnë pikërisht që ju të mund të qëndroni këtu, të gjeni mundësi, të keni sukses, dhe të ndihmoni në ndërtimin e vendit.
Prandaj është shumë e rëndësishme, dhe ju e dini. Për fushatën është thelbësore që t’i japë mesazhet aty ku ndodhen votuesit. Shumica prej jush nuk e merrni informacionin nga burimet tradicionale, si media klasike. Ju informoheni përmes rrjeteve sociale, përmes internetit dhe platformave të ndryshme. Kështu që, është shumë e rëndësishme që ne të komunikojmë me të gjithë ju.
Por po aq e rëndësishme është që edhe ju të angazhoheni, të shprehni mendimin tuaj, dhe të siguroheni që miqtë dhe familjarët tuaj të dalin dhe të votojnë.
E gjithë kjo fushatë ka të bëjë me çështjen më të rëndësishme: ekonominë dhe të ardhmen. Dhe ju djema, e keni plotësisht në dorë ta ndryshoni të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi. Por nuk mund ta bëni këtë nëse nuk ngriheni.
Ka një shprehje të vjetër në Amerikë: “Bota drejtohet nga ata që ngrihen.” Dhe është shumë, shumë e rëndësishme që ju të merrni pjesë dhe të bëni që zëri juaj të dëgjohet. Faleminderit!
Z. LaCivita, faleminderit që jeni këtu. Pyetja ime për sherifin është: Çfarë e motivoi rininë e Partisë Republikane në zgjedhjet e fundit dhe cili ishte roli i tyre kyç në fushatë?
LaCivita: Pyetje shumë e mirë, dhe faleminderit që e bëtë. Që ta dini të gjithë, unë nuk jam vërtet sherif. Më pëlqen thjesht të bëj pak humor. Por, sa i përket zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht votuesit më të rinj nuk janë shumë të angazhuar. Dhe, e dini, e majta gjithmonë shpreson që të rinjtë të mos marrin përgjegjësi dhe të mos përfshihen. Por ne kishim një plan shumë specifik për të angazhuar votuesit e rinj, sepse folëm për çështjet që kanë rëndësi për ta.
Ka shumë zhurmë në fushata, dhe njerëzit duan të të tërheqin në rrugë të tjera e të flasin për çështje që në të vërtetë nuk kanë rëndësi. Para së gjithash, gjëja më e rëndësishme për ne ishte të komunikonim me votuesit e rinj atje ku ata marrin informacionin. Pra, ishte online, përmes podkasteve, përmes shumë metodave jotradicionale. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, të njëjtat gjëra mund të bëhen edhe këtu.
Ata ishin shumë të shqetësuar për aftësinë e tyre për të ecur përpara, për të krijuar jetën e tyre. Shumë të rinj në Shtetet e Bashkuara, për shkak se nuk mund të përballojnë të kenë një vend të tyrin, ende jetojnë me prindërit. Por ata nuk duan të jetojnë me prindërit përgjithmonë. Ata duan të dalin më vete, të krijojnë jetën e tyre dhe të kenë një të ardhme.
Pra, ata iu përgjigjën shumë mirë mesazheve që përcillte Presidenti Trump. Dhe natyrisht, atyre u intereson siguria personale. U intereson siguria ekonomike. Dhe përsëri, çështjet që i çuan amerikanët në qendrat e votimit në vitin 2024 janë të njëjtat çështje që ekzistojnë edhe këtu. Rrethana shumë, shumë të ngjashme. Prandaj, është e rëndësishme të sigurohemi që ata ta dinë që ekziston një parti që është e përqendruar te e ardhmja dhe që konservatorët kanë zgjidhjet më të mira.
Siç e thashë edhe dje, 12 vitet e fundit kanë qenë një dështim i tmerrshëm. Atëherë, pse do të votoje për partinë ose për personin që është përgjegjës për ato 12 vite? Është koha për ndryshim.
Nga pikëpamja strategjike, nuk do të zbulojmë shumë sekrete, por mendoj se, nga ana e fushatës, duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale, dhe shumë më të pranishëm në mënyra jo tradicionale të komunikimit me votuesit.
Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të flasësh me grupin e duhur të votuesve, sidomos kur bëhet fjalë për mesazhin. Sigurisht, mesazhi për të cilin flet Dr. Berisha, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë një të ardhme këtu, pa pasur nevojë të largohen në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, është thelbësor. Por, kur flasim për partitë e majta, socialistët gjithmonë qëndrojnë bashkë, sepse ata kanë një vizion të njëjtë për botën dhe për qeverisjen, një vizion që nuk e vendos individin në qendër.
Dhe, e dini, këto janë pikërisht ato gjëra ndaj të cilave individët duhet të kenë kurajon të ngrihen dhe të luftojnë. Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi.
Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër.
Dhe, e dini, kjo ka të bëjë me ndërtimin e aleancave. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë, dhe sigurisht që Dr. Berisha ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Por, përsëri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju, sidomos ata në një moshë të caktuar, ta kuptoni sa e rëndësishme është ajo që po bëni.
Jo vetëm që duhet të votoni vetë, por merrni me vete edhe pesë veta, merrni edhe dhjetë, dhe sigurohuni që të votojnë edhe ata. Është shumë e thjeshtë. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit.
Ajo që dua të them është se, çdo ditë duhet të jetë, çdo ditë duhet të jetë një shpërthim, si një zgjim i ri. Një zgjim dhe edukim i elektoratit për mënyrën se si Edi Rama ka dështuar keqazi në këtë vend.
Unë kam një rregull të ngjashëm: të jesh i shkurtër, i qartë dhe të përçosh mesazhin në mënyrë të vazhdueshme. Dhe e vetmja e ardhme që kemi këtu është nëse z. Berisha zgjidhet. Përndryshe, do të kemi më shumë nga e njëjta gjë.
E dini, në politikë, nëse përpiqesh të “shtysh” me zor diçka, kjo duket artificiale. Dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme është të jesh vetvetja. Siç tha edhe z. Berisha, të jesh i vërtetë me veten, i vërtetë me atë që përfaqëson si parti, të luftosh për taksa më të ulëta, të luftosh për njeriun e zakonshëm që punon, dhe të tregosh qartë se ky vend nuk përballon dot edhe katër vite të tjera me Edi Ramën. Thjesht nuk mundet. Ky është momenti shpërthimit. Faleminderit!
Pra, edhe një herë, unë nuk flas në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që kam shumë miq atje, sepse punoj shumë ngushtë me fushatën. Por mendoj se mjafton të themi që ekziston një kuptim i qartë i situatës politike dhe korrupsionit që ekziston këtu.
Siç e përmenda edhe mbrëmë, shumë nga gjërat që administrata Biden ka tentuar të bëjë gjatë katër viteve të fundit për të futur Donald Trump në burg, duke përfshirë edhe bastisjen e shtëpisë së tij, janë gjëra që nuk kishin ndodhur më parë.
Dhe ngjashmëritë mes asaj që po përpiqen t’u bëjnë konservatorëve këtu, dhe asaj që ata bënë në Shtetet e Bashkuara, janë jashtëzakonisht të ngjashme. Dhe kjo ndodh sepse ata nuk janë në gjendje të mbrojnë bilancin e tyre. Nuk janë në gjendje të mbrojnë gjendjen e ekonomisë.
Dhe gjithmonë duhet të kthehemi tek kjo. Do ta mbyll duke thënë se jam jashtëzakonisht i impresionuar nga ju të gjithë. Mendoj se keni shumë për të ofruar dhe e ardhmja duket shumë premtuese. Dhe anglishtja juaj është thjesht e mrekullueshme. Pra, përgëzime të gjithëve. Faleminderit.
