Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Nesër vazhdimi i seancës konstituive – partitë pro pjesëmarrjes, por a do të votohet verifikimi i mandateve?

15 prilli ishte caktuar nga Presidentja Vjosa Osmani si datë për thirrjen e seancës për konstituimin të Kuvendit të ri të Kosovës.

Ashtu edhe ndodhi. Seanca u thirr, dhe shumica e deputetëve morën pjesë. Por, jo të gjithë patën gatishmëri për të votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Kështu, partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, refuzuan të votonin këtë raport me arsyetimin se anëtarët e qeverisë së kaluar, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.

52 deputetë votuan pro, 46 kundër, 11 abstenuan dhe rrjedhimisht nuk kaloi ky raport.

Rrjedhimisht, Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ndërpreu seancën.

Pas kësaj, Dehari i dërgoi presidentes Vjosa Osmani letër me kërkesën për të marrë sugjerime për opsionet e mundshme përpara.

Kësaj kërkese, Osmani iu përgjigj pasditen e së mërkurës, duke thënë se deputetët duhet të mblidhen brenda 48-orëve pas ndërprerjes së seancës së 15 prillit.

“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi”, ka thënë Osmani.

E në ndërkohë, Kuvendi i Kosovës njoftoi se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet të enjten nga ora 12:00.

Çka thonë PDK, LDK e AAK për vazhdimin e seancës? 

Klankosova.tv ka kontaktuar partitë parlamentare për të marrë qëndrimin e tyre në lidhje me pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës konstituive.

Deputetët e zgjedhur të subjektit politik, Partisë Demokratike të Kosovës, janë shprehur të gatshëm për të marrë pjesë në këtë seancë.

Deputetja me e re e kësaj legjislature, Sala Jashari nga radhët e PDK-së, e ka bërë këtë të ditur për Klankosova.tv.

“Po, do të marrim pjesë”, ka thënë shkurt Jashari.

Në të njëjtën linjë të qëndrimit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nesër nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezentë në seancën që duhet të ndodhë, sipas tij.

Për të njëjtën çështje, për Klankosova.tv është deklaruar edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja, e cila e konfirmoi pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj legjislature.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë Kurti 2, Emilija Rexhepi, ka thënë se “deputetët e opozitës votuan kundër vetes dhe mandatit të tyre, as unë nuk e kuptoj pse”.

“Seanca e djeshme ishte një formalitet që nga këndvështrimi legjislativ duhet të jetë i tillë, me dhënien e një betimi individual nga çdo deputet që mori besimin e popullit në zgjedhje dhe që u certifikua nga KQZ. Nuk e kuptoj pse ata ishin kundër njëri-tjetrit, ne duhet të krijojmë një parlament dhe të votojmë një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur, kemi një milion çështje të tjera më të rëndësishme kombëtare me të cilat duhet të merremi dhe qytetarët tanë e presin këtë nga ne”, deklaroi Rexhepi.

Lista Serbe ka deklaruar se nuk do ta votojë një mandat të ri të Qeverisë Kurti, përkundër pretendimeve të ditëve të fundit, sidomos gjatë ditës së djeshme ku u përfol për mbështetjen e deputetëve të kësaj partie ndaj Albin Kurtit.

Igor Simiq nga kjo parti deklaroi për Klankosova.tv se ndoshta është dëshirë e bashkëpunëtorëve të Kurtit që LS ta votojë Qeverinë, por sipas tij një gjë e tillë është e pavërtetë.

Ai tha se për qëndrimin e Listës Serbe, VV është në dijeni, “por rrenat që kanë dalë u shërbejnë lojërave të tyre të brendshme”.

Mëngjesin e sotëm, qeveria në dorëheqje mbajti një mbledhje, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti përsëriti qëndrimin se ai dhe kabineti qeveritar janë në detyrë që nga 23 marsi, kur ekzekutivi ka përmbushur mandatin e rregullt katërvjeçar.

Ai tha se “më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje” sepse do të ishte “braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional”.

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, aktualisht ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive.

Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë, ashtu siç e parasheh ligji, por edhe letra e presidentes Osmani.

“Nuk ka kuptim të bllokohet konstituimi i Kuvendit dhe kjo është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të zgjedhur”, theksoi Çeku.

A do të votojnë “opozitarët” raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit?

Partitë që deri në mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë treguar nëse do të votojnë pro raportit në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit.

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, theksoi për REL-in se vendimi i PDK-së për të votuar ose jo raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të bëhet i ditur kur të mblidhen deputetët në seancë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga ana tjetër përsëriti se LDK-ja do të kërkojë përsëri nga Kurti me ministra të japin dorëheqje formale.

“Do ta kërkojmë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, tha Abdixhiku, por nuk ka saktësuar se a do ta definojë ky qëndrim edhe votimin ose jo nga kjo parti të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Time Kadrijaj nga AAK-ja tha se votimi ose jo i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të varet nga qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të shohim se sa janë seriozë me dorëheqjet anëtarët e Qeverisë (të zgjedhur deputetë). Paraprakisht, nesër (të enjten) do të konsultohemi edhe me partitë tjera opozitare dhe do të vendosim”, theksoi Kadrijaj.

Miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare. 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të ngjashme

Lajme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit...

Lajme

Shkëlqim Pllana, 17-vjeç dhe Malsor Pllana, 19-vjeç humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku, dy vjet më parë, në afërsi të fshatit Gojbulë të...

Lajme

Një grua është gjetur e vdekur sot në një apartament në Prishtinë, në rrugën ”Afrim Zhitia”, rreth orës 11:30. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës...

Lajme

Me pikëllim të thellë, familja Mulolli ka njoftuar për ndarjen nga jeta të nipit të tyre të dashur, Valon (Mustafë) Mulolli, i cili u...

Lajme

Gazeta Momenti brenda burimeve të Koalicionit për Kosovën Fituese, ka mësuar emrat e deputetëve që kanë fituar ulëset në Kuvend. 1.Ramush Haradinaj 2. Fatmir...

Lajme

Gazeta Momenti brenda VV-së ka mësuar ekskluzivjsht emrat e 20 deputetëve të VV-së që kanë fituar mandatin. 1.Albin Kurti 2.Glauk Konjufca 3.Donika Gërvalla 4.Faton...

Home
Video
Lajme
Sport
Profile