Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpërndarë në rrjetin “Truth Social” një video me përmbajtje nxitëse, ku një ekonomist amerikan i referohet kryeminsitrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, si “bir ku*ve i thellë e i errët”, vetëm disa javë pasi Netanyahu pretendoi se kishte zhvilluar një diskutim “shumë miqësor e të ngrohtë” me Trumpin rreth bisedimeve për lirimin e pengjeve nga Gaza dhe politikat për Sirinë.
Trumpi publikoi një video në “Truth Social” ku flet ekonomisti Jeffrey Sachs, i cili e akuzon Netanyahun për manipulimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe për orkestrimin e “luftërave të pafundme” në Lindjen e Mesme, raporton gazeta “The Guardian”.
Në video, Sachs – i cili ishte duke u intervistuar nga Tucker Carlson – pretendon se Netanyahu ka ndjekur një strategji sistematike që nga viti 1995 për t’i eliminuar Hamasin dhe Hezbollahun duke i vënë në shënjestër qeveritë që i kanë mbështetur këto grupe në Irak, Iran dhe Siri.
“[Netanyahu] na futi ne në luftëra të pafundme dhe për shkak të fuqisë së tërë kësaj në politikën e ShBA-së, ai e mori atë që e deshi” – thotë Sachs në intervistë, duke iu referuar grupeve lobuese pro-izraelite.
Qëllimi i Trumpit për promovimin e videos nuk ishte menjëherë i qartë.
Presidenti i zgjedhur amerikan ka histori të shpërndarjes së videove e fotografive ku kritikohen politikat e udhëheqësisë në Uashington, por shpërndarja e videos kritikuese rreth Netanyahut u bë në kohën e përpjekjeve intensive diplomatike nga Egjipti, Katari dhe administrata amerikane në largim për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi ku do të përfshihej lirimi i pengjeve.
Vendimi i Trumpit për t’i përforcuar komentet e ekonomistit Sachs gjithashtu vjen kur ai po e ndërton atë që kolonët izraelitë po e cilësojnë si “ekip ëndrrash” të përbërë nga mbështetës të vijës së ashpër të Izraelit.
I nominuari i Trumpit për sekretar të Shtetit, Marco Rubio, e kundërshton armëpushimin në Gaza dhe ka bërë thirrje që Izraeli të “shkatërrojë çdo element” të Hamasit.
