Mikel Arteta ka deklaruar se Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich janë “në botë tjetër” krahasuar me Arsenalin, teksa ka komentuar gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe ka lavdëruar në maksimum spektaklin mes dy gjigantëve evropianë.
Arsenali ndodhet në barazim 1-1 pas ndeshjes së parë gjysmëfinale ndaj Atletico Madrid, e zhvilluar të mërkurën në “Riyadh Air Metropolitano”, ku dy skuadrat u ndanë me nga një gol pas një sfide të fortë dhe të luftuar.
Ndërkohë, vetëm 24 orë më herët, PSG mposhti Bayern Munich me rezultat 5-4 në “Parkun e Princave”, në një duel dramatik që barazoi rekordin si gjysmëfinalja me më së shumti gola në historinë e Ligës së Kampionëve – rekord që daton nga sezoni 1959/60, kur Eintracht Frankfurt kishte fituar 6-3 ndaj Rangers.
Duke folur për media, Arteta e cilësoi përballjen PSG–Bayern si “ndeshjen më të mirë” që ka parë ndonjëherë, duke theksuar cilësinë kolektive dhe individuale të lojtarëve. “Bayern–PSG është ndoshta ndeshja më e mirë që kam parë ndonjëherë për sa i përket cilësisë së dy ekipeve, dhe sidomos cilësisë individuale që lojtarët sjellin”. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë.
Por kur shoh numrin e minutave dhe freskinë e atyre lojtarëve, atëherë nuk çuditem”.
Trajneri i Arsenalit sugjeroi se dallimi mes dy gjysmëfinaleve lidhet kryesisht me “freskinë” dhe ngarkesën e lojtarëve, duke e lidhur këtë edhe me ritmin e kampionateve ku garojnë skuadrat. “Për të dhënë ato momente cilësie, duhet të jesh shumë i freskët, dhe ndryshimi mes ligave dhe mënyrës si ato garojnë është si nata me ditën… mjafton të shihni disa statistika që kanë qarkulluar së fundmi”.