Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se kryeministri Albin Kurti i kishte falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”.
Në reagimin e publikuar, OVL-UÇK ka theksuar se një deklaratë e tillë, e bërë nga një anëtar i kabinetit qeveritar, sipas tyre zbulon fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual dhe orientimin e tij politik.
“Deklaratat e një ministri se kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit ‘për hatër të tij’, tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, ideologjinë e tyre antikombëtare dhe orientimin e tyre kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Duke ndjekur këto zhvillime të padëgjuara më parë, Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata thekson më tej se çështje të tilla që lidhen me territorin dhe pronën e Kosovës duhet të trajtohen me përgjegjësi të lartë institucionale dhe transparencë të plotë para qytetarëve, duke shtuar se çdo vendim që prek interesin publik nuk mund të justifikohet me arsye personale apo politike.
Po ashtu, në reagim thuhet se çdo përpjekje për ta relativizuar apo minimizuar këtë çështje përbën, sipas tyre, fyerje ndaj sakrificës së popullit të Kosovës dhe të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e vendit.
“Çdo tentativë për ta relativizuar këtë skandal është ofendim për sakrificën e popullit tonë dhe për gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
OVL-UÇK ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të sqarojnë plotësisht këtë çështje para opinionit publik dhe të garantojnë se interesat shtetërore dhe territoriale të Kosovës do të mbrohen në çdo rrethanë.




















