Nga kuzhinat ku përgatiten pasta dhe salca të shijshme, deri te punëtoritë ku dëgjohen goditjet e metalit dhe shkëndijat e saldimit, gjithnjë e më shumë qytetarë në Kosova po zgjedhin të mësojnë një profesion të ri për të siguruar një vend pune.
Në Qendrat e Aftësimit Profesional në Prishtinë dhe Gjilan, dhjetëra kursantë të moshave të ndryshme po ndjekin trajnime në profesione të ndryshme që kërkohen në tregun e punës. Mes tyre janë kuzhina, floktaria, kontabiliteti, dizajni grafik, rrobaqepësia, zdrukthtaria, metalpunimi dhe instalimet elektrike.
Këto trajnime zgjasin vetëm disa muaj, por për shumë pjesëmarrës ato përfaqësojnë një mundësi reale për të hyrë në tregun e punës dhe për të ndërtuar një karrierë të re.
Në QAP në Prishtinë ofrohen kurse të ndryshme profesionale si floktari, instalues elektrik, rrobaqepësi, teknologji informative dhe drejtime të tjera që kanë kërkesë të madhe nga punëdhënësit.
Ndërkohë, në Qendrën e Aftësimit Profesional në Gjilan aktualisht po trajnohen dhjetëra kursantë, me interesim të veçantë për profesionin e kuzhinës. Në rritje janë edhe kërkesat për profesione moderne, si instalues elektrik për sisteme solare.
Instruktorët theksojnë se edhe profesionet që shpesh konsiderohen më të vështira fizikisht, si saldimi dhe metalpunimi, mund të mësohen dhe të ushtrohen me sukses nga të gjithë – përfshirë edhe gratë.
Një tjetër avantazh i madh është se këto trajnime ofrohen falas dhe në shumë raste kursantët pajisen me certifikata profesionale brenda tre deri në gjashtë muaj.
Për shumë qytetarë, këto programe janë më shumë se një kurs – ato janë një shans i ri për punësim, zhvillim profesional dhe një fillim i ri në tregun e punës.
Për më shumë detaje dhe për të parë historitë e kursantëve, shikoni videon e plotë më poshtë.




















