Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 12 maj 2026 në Kosovë janë konfirmuar 14 raste me Fruthi.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me pesë raste, pasuar nga Prishtina dhe Kaçanik me nga tre raste. Nga një rast është raportuar edhe në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
IKSHPK ka bërë të ditur se të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës, ndërsa të gjithë pacientët kanë marrë trajtim spitalor.
“Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi”, thuhet në njoftim.
Instituti u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. /Lajmi.net/





















You must be logged in to post a comment Login