Lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se është tërhequr përfundimisht nga përpjekjet për të gjetur një president konsensual, duke vendosur tashmë për një kandidat partiak.
Burime të Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se Kurti ka vendosur ta propozojë Glauk Konjufca si kandidat për president të Republikës së Kosovës. E njëjta ide, sipas këtyre burimeve, është prezantuar sot edhe në takimin që kryeministri ka zhvilluar me liderin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Madje, thuhet se Kurti i ka kërkuar Abdixhikut mbështetje për kandidaturën e Konjufcës. Ndërkohë, partia në pushtet raportohet se tashmë i ka siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për ta proceduar emrin në Kuvend, duke përmbushur kushtin formal për propozim. Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të thirret shumë shpejt, ndoshta brenda dy ditësh.
Ky zhvillim sinjalizon se Kurti nuk po e mbështet më një mandat të ri për presidenten aktuale, Vjosa Osmani. Sipas burimeve brenda VV-së, vendimi për Konjufcën lidhet edhe me kalkulime politike në Kuvend. Thuhet se Kurti po llogarit në disa vota nga deputetë të Partia Demokratike e Kosovës.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i PDK-së e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Në një prononcim për Gazetën Nacionale, ai ka deklaruar në kushte anonimiteti se “askush prej deputetëve të PDK-së nuk do të votojë një kandidat të VV-së për president”, duke theksuar se qëndrimi i partisë është i qartë dhe i pandryshueshëm.
Për çështjen e presidentit, Kurti ka zhvilluar dy raunde bisedimesh edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si dhe me Abdixhikun. Madje, me këtë të fundit sot është mbajtur një takim i tretë, i papritur, por që sërish nuk ka prodhuar rezultat konkret për një emër konsensual.
Pas përfundimit të takimit, Kurti ka qenë i rezervuar para mediave. “Ende nuk kemi zgjidhje. Nëse bëhet, do t’iu njoftojmë”, ka deklaruar ai shkurtimisht.
I vetmi emër që ishte përmendur më herët si kandidat i mundshëm konsensual nga radhët e VV-së ka qenë Murat Jashari, por ai e kishte refuzuar ofertën.
Ndërkohë, afati kushtetues po afrohet. E enjtja, 5 mars, konsiderohet si data e fundit kur Kosova mund ta zgjedhë presidentin. Nëse ky afat tejkalohet, çdo zgjedhje pas kësaj date do të konsiderohej shkelje e Kushtetutës, çka do të mund të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vëmendja është përqendruar te lëvizjet e radhës në Kuvend.




















