Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë një deklaratë që pritet të ngjallë reagime në skenën politike në Kosovë. Në emisionin Pressing në Televizioni T7, ai tha se një numër i konsiderueshëm deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë premtuar votën në rast se ai do të ishte kandidat për president të vendit.
Sipas Haradinajt, bëhet fjalë për një numër jo të vogël deputetësh, të cilët, sipas tij, kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur në një garë të mundshme për postin e presidentit. Ai theksoi se këto deklarata nuk kanë qenë të izoluara apo private, por janë bërë edhe në takime ku kanë qenë të pranishëm deputetë të tjerë.
“Një numër i respektuar, jo i vogël edhe i deputetëve të VV-së më kanë thënë se nëse je në garë, e ke votën time. Këtë ma kanë thënë edhe në takime në prani të kolegëve të vet”, deklaroi Haradinaj gjatë intervistës.
Ai shtoi se deputetët që i kanë dhënë këto sinjale mbështetjeje janë ende në politikë dhe, sipas tij, mund të flasin vetë për këtë çështje nëse vendosin të deklarohen publikisht.
“Ata janë gjallë dhe mund të deklarohen edhe vetë”, theksoi Haradinaj, duke lënë të kuptohet se mbështetja e mundshme për kandidaturën e tij mund të vijë edhe nga radhët e partisë në pushtet.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në skenën politike vazhdimisht përmendet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm dhe mundësia e krijimit të kombinimeve të reja politike në Kuvend.




















