Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur mbështetjen e saj për amendamentet kushtetuese të propozuara nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në reagimin e saj publik, Haxhiu theksoi se e përkrah këtë iniciativë dhe u bëri thirrje deputetëve që t’i votojnë amendamentet kushtetuese të propozuara.
Sipas saj, ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit do të ndihmonte në shmangien e ngërçeve politike që shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në Kuvend.
“I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar Haxhiu.
Propozimi për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga populli ka hapur një debat të ri politik në vend, ndërsa pritet që amendamentet të shqyrtohen dhe të procedohen më tej në Kuvendi i Kosovës.




















