Gazetari dhe autori i emisionit Rubikon në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka reaguar me ironi ndaj propozimit për amendamentet kushtetuese që synojnë mundësimin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në reagimin e tij publik, Kelmendi ka ngritur pikëpyetje lidhur me kohën kur po procedohen këto amendamente, duke sugjeruar se iniciativa vjen në një moment të diskutueshëm politik.
“Pse nuk janë bërë deri tash? Çka ndryshon procedimi i tyre tash?
House of Cards, sezoni më i ri – vetëm në (Netflix, jo) Kosovë!”
Në reagimin e tij, ai ka cituar gjithashtu edhe nenin 144 të Kushtetuta e Republikës së Kosovës, i cili përcakton procedurat për amendamentimin e Kushtetutës.
“Qeveria, Presidenti ose një e katërta (1/4) e deputetëve të Kuvendit, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, mund të propozojnë ndryshime dhe amendamentime të kësaj Kushtetute. Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës. Ndryshimet në këtë Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar Kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës. Ndryshimet e Kushtetutës hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”
Propozimi për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga populli ka nxitur reagime dhe debate në skenën politike dhe publike në Kosovë.




















