Këngëtarja e njohur amerikane Britney Spears është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në shtetin e California, sipas njoftimeve të bëra nga autoritetet lokale të rendit.
Sipas policisë, artistja 42-vjeçare u ndalua rreth orës 21:28 në zonën e Ventura County, pasi dyshohet se po drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit. Patrullat policore e kanë ndaluar automjetin e saj gjatë një kontrolli rutinë në trafik, ndërsa pas verifikimeve fillestare dyshohet se këngëtarja nuk ishte në gjendje të përshtatshme për të drejtuar mjetin.
Pas ndalimit, Spears është shoqëruar në komisariatin policor për procedurat standarde, ku iu nënshtrua edhe testeve përkatëse. Sipas autoriteteve, pas përfundimit të dokumentimit dhe procedurave administrative, ajo u lirua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 06:07.
Burime nga policia bëjnë të ditur se rasti tashmë është duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe se këngëtarja pritet të përballet me drejtësinë për akuzën e dyshuar të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit. Ndërkohë, seanca gjyqësore lidhur me këtë çështje është caktuar të mbahet më 4 maj.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga vetë këngëtarja apo përfaqësuesit e saj lidhur me këtë incident, ndërsa mediat amerikane raportojnë se rasti ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të profilit të lartë të artistes.




















