Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë një krahasim mes zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, me ato të 28 dhjetorit 2025, duke analizuar lëvizjet e partive politike në nivel komunal.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar rënie në përqindje në të gjitha 38 komunat e Kosovës.
Por, ajo mbetet partia e parë në shumicën e komunave, konkretisht në 31 prej tyre, por ka humbur primatin në tri komuna. “𝐋𝐕𝐕 ka pësuar rënie në përqindje në secilën prej 38 komunave të Kosovës.
Ndonëse mbetet partia e parë në shumicën e tyre (31 sosh), rënia është evidente – duke humbur edhe primatin në tri komuna.
Rëniet më të theksuara, LVV i ka në Suharekë (-14.54 pikë përqindje), Mamushë (-14.07), Junik (-10.30) dhe Rahovec (-10.23)”, shkroi Cakolli, transmeton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shënuar rritje në 35 komuna, me ngritjet më të mëdha në Istog, Malishevë, Junik, Suharekë dhe Rahovec. “𝐋𝐃𝐊 ka shënuar rritje në përqindje në 35 komuna.
Rritjet më të mëdha, LDK i ka në Istog (+10.6 pikë përqindje), Malishevë (+9.2), Junik (+8.6), Suharekë (+8.2) dhe Rahovec (+7.7)”, tha ai.
Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës sipas tij, ajo ka qenë më stabile në krahasim me subjektet tjera, me lëvizje më të vogla në shumicën e komunave. “𝐏𝐃𝐊 duket më stabile, dhe për dallim nga partitë tjera, lëvizjet në shumicën e komunave i ka relativisht të vogla.
PDK ka shënuar rënie në 21 komuna, ndërsa në 16 të tjera ka shënuar rritje.
PDK ka shënuar rritjen më të madhe në komunën e Malishevës me rreth 22 pikë përqindje – që është lëvizja më e madhe komunale e evidentuar në këto zgjedhje”.
Ndërkohë, Aleanca ka rritur përqindjen në 30 komuna, kryesisht në nivele më simbolike, me rritjet më të mëdha në Suharekë, Deçan, Rahovec, Junik dhe Gjakovë. “𝐀𝐀𝐊 ka rritur përqindjen e votave në 30 komuna, ndonëse në shumicën prej tyre në përqindje simbolike.
Rritjet më të mëdha, AAK i ka shënuar në Suharekë (+9.2 pikë përqindje), Deçan (+7.6), Rahovec (+6.5), Junik (+6.2) dhe Gjakovë (+4.5)”, shkroi tutje Cakolli në Facebook./Klankosova.tv





















You must be logged in to post a comment Login