Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar përkeqësim të ndjeshëm gjatë 16 muajve të fundit.
Në një intervistë për median serbe “Kosovo Online”, Hovenier tha se Uashingtoni pret nga qeveria e ardhshme të jetë partnere e besueshme.
Prioritetet amerikane mbeten forcimi i institucioneve demokratike, luftimi i korrupsionit dhe realizimi i reformave të vonuara në qeverisje.
Ai tha se Uashingtoni vëzhgon me kujdes zhvillimet politike në Kosovë dhe aftësinë e institucioneve për të funksionuar normalisht.
Hovenier kërkoi zgjedhjen e presidentit, formimin e një koalicioni të qëndrueshëm, miratimin e buxhetit dhe hapa të dukshëm për uljen e tensioneve.
Megjithatë, ai tha se ekziston gatishmëri në Uashington për një angazhim të ri me Kosovën.




















