Mitrovica nuk është qytet që mund të trajtohet si çdo komunë tjetër në hartën politike të Kosovës. Mitrovica është qytet me peshë historike, me plagë të hapura, me krenari, me dhimbje, me ndarje, me luftë, me rezistencë dhe me emra që kanë hyrë thellë në kujtesën kombëtare shqiptare.
Ky qytet nuk ka lindur vetëm politikanë të zakonshëm. Ka lindur figura që në periudha të vështira kanë mbajtur mbi shpinë fatin e shqiptarëve. Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Dervish Mitrovica, Xhafer Deva, Kadri Veseli, Bajram Rexhepi dhe shumë të tjerë janë dëshmi se Mitrovica dikur prodhonte njerëz që mendonin përtej karriges, përtej mandatit dhe përtej interesit të ngushtë partiak.
Isa Boletini ishte zëri i pushkës dhe i qëndresës shqiptare. Ai nuk u bë i madh duke kërkuar rehati politike, por duke u rreshtuar në ballë të përpjekjeve kombëtare për liri. Ai ishte nga ata burra që nuk e matnin jetën me privilegje, por me nder, besë dhe sakrificë.
Rexhep Mitrovica ishte intelektual, mësues, politikan dhe njeri i shtetit. Ai ishte pjesë e atyre brezave që e kuptuan se kombi nuk mbahet vetëm me armë, por edhe me shkollë, organizim, diplomaci dhe vetëdije kombëtare. Nexhip Draga ishte zë i fuqishëm politik i shqiptarëve në kohën kur fjala shqipe dhe kërkesa për të drejta kombëtare nuk ishin punë e lehtë. Dervish Mitrovica lidhet me rrugëtimin drejt Pavarësisë së Shqipërisë. Xhafer Deva, sado figurë e debatueshme në histori, mbetet dëshmi se Mitrovica ka prodhuar njerëz që kanë qenë në qendër të zhvillimeve të mëdha politike shqiptare.
Pastaj erdhi koha e luftës së fundit në Kosovë. Edhe në atë periudhë, Mitrovica dhe trevat përreth saj nuk mbetën jashtë historisë. Kadri Veseli, një nga figurat më të njohura të UÇK-së dhe më vonë kryetar i Kuvendit të Kosovës, është emër që lidhet fort me këtë qytet. Mund të pajtohesh ose jo me politikën e tij të mëvonshme, por nuk mund të mohohet se ai ishte pjesë e brezit që e solli çështjen e Kosovës në një etapë tjetër historike.
Bajram Rexhepi ishte një tjetër figurë e rëndësishme nga Mitrovica. Mjek, pjesëtar i UÇK-së si doktor gjatë luftës, pastaj kryeministri i parë i zgjedhur i Kosovës pas luftës. Ai përfaqësonte një model më të qetë, më institucional, më të matur. Në një kohë kur Kosova dilte nga lufta e shkatërruar, ai ishte pjesë e ndërtimit të institucioneve të para demokratike.
Pra, Mitrovica ka pasur histori. Ka pasur burra të pushkës, burra të dijes, burra të shtetit dhe burra të luftës. Prandaj pyetja që duhet bërë sot është e rëndë, por e domosdoshme:
Si arriti Mitrovica, nga qyteti i Isa Boletinit, Nexhip Dragës, Rexhep Mitrovicës, Kadri Veselit e Bajram Rexhepit, të përfundojë në një realitet ku qytetari voton më shumë nga mllefi, zhgënjimi dhe propaganda sesa nga besimi i vërtetë në figura serioze?
Zgjedhjet e fundit në Mitrovicë e treguan qartë këtë tronditje politike. Lëvizja Vetëvendosje mori 59,84 për qind, me 16,928 vota. Partia Demokratike e Kosovës mori vetëm 27,05 për qind, me 7,653 vota.
Kjo nuk është humbje e vogël. Kjo është goditje politike.
Goditja bëhet edhe më e rëndë për PDK-në kur dihet se kandidati i saj për kryeministër ishte Bedri Hamza, një figurë nga Mitrovica, ish-kryetar i komunës dhe një nga emrat më të përgatitur teknikisht që ka pasur PDK-ja viteve të fundit. Pra, PDK-ja nuk humbi në Mitrovicë me një kandidat të largët, të panjohur apo pa lidhje me qytetin. Ajo humbi me njeriun e vet të Mitrovicës.
Kjo tregon një të vërtetë të thjeshtë: qytetari i Mitrovicës nuk po bindet më vetëm nga origjina. Nuk mjafton me qenë “i joni”. Nuk mjafton me qenë nga qyteti. Nuk mjafton me pasur emër të mirë në CV. Nuk mjafton me qenë ish-kryetar komune. Vota sot kërkon më shumë. Kërkon ndjenjë, besim, afërsi, energji, drejtim dhe bindje se ai që kërkon votën e kupton dhimbjen e qytetit.
Mitrovica e ka përjetuar shumë gjatë politikën e premtimeve. E ka përjetuar ndarjen e qytetit. E ka përjetuar papunësinë. E ka përjetuar ikjen e rinisë. E ka përjetuar betonizimin pa vizion. E ka përjetuar përdorimin e emrit të saj në fushata kombëtare, ndërsa në jetën e përditshme qytetari ka mbetur me halle të njëjta.
Prandaj vota e Mitrovicës nuk duhet lexuar vetëm si dashuri për VV-në. Duhet lexuar edhe si dënim për partitë që e kanë marrë këtë qytet si të garantuar.
PDK-ja, sidomos, duhet ta shohë këtë rezultat pa arsyetime. Nuk mund ta shpjegojë vetëm me propagandë, me emocione apo me “valën e Kurtit”. Po, këto ndikojnë. Por kur një parti humb kaq thellë në qytetin e kandidatit të saj për kryeministër, atëherë problemi është më i madh. Problemi është te lidhja e humbur me qytetarin.
Në anën tjetër, fitorja e VV-së në Mitrovicë nuk është vetëm fitore parlamentare. Sot kryetar i Mitrovicës së Jugut është Faton Peci nga Vetëvendosje. Kjo tregon se zhvendosja politike në Mitrovicë nuk është rastësi e një dite. VV-ja nuk e mori Mitrovicën vetëm në nivel qendror; e mori edhe në nivel lokal.
Kjo është shenjë se Mitrovica ka ndryshuar kahje politike.
Por këtu duhet të jemi të sinqertë: ky ndryshim nuk do të thotë automatikisht se Mitrovica ka fituar cilësi më të lartë politike. Një parti mund të fitojë vota, por kjo nuk do të thotë se qyteti ka fituar lidership më të mirë. Një parti mund të marrë komunën, por kjo nuk do të thotë se Mitrovica do të zhvillohet. Një kryetar mund ta fitojë mandatin, por historia nuk e mban mend askënd vetëm pse e ka fituar një palë zgjedhje.
Historia e mban mend atë që lë gjurmë.
Dhe këtu vjen problemi më i madh i Mitrovicës së sotme: ky qytet ka filluar të përdoret nga politika më shumë si simbol sesa si përgjegjësi. Të gjithë flasin për Mitrovicën. Të gjithë thonë se Mitrovica është zemra e Kosovës. Të gjithë bëjnë fotografi te ura, te Ibri, te sheshi, te emrat historikë. Por shumë pak prej tyre kanë pasur plan serioz për ta kthyer këtë qytet në qendër të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe urban.
Mitrovica nuk ka nevojë për fjalime patriotike një herë në katër vjet. Mitrovica ka nevojë për punë çdo ditë.
Ka nevojë për ekonomi. Ka nevojë për vende pune. Ka nevojë për investime. Ka nevojë për rini që nuk ikin. Ka nevojë për universitet më të fortë. Ka nevojë për jetë kulturore. Ka nevojë për siguri. Ka nevojë për zgjidhje reale të problemeve urbane. Ka nevojë për politikanë që nuk e shohin qytetin si trampolinë për karrierë personale.
Dhe këtu duhet përmendur edhe një fenomen tjetër: ngritja e figurave të diskutueshme në politikën e Mitrovicës. Agim Bahtiri është shembull i qartë i kësaj periudhe. Ai për vite me radhë ishte figurë e zhurmshme, kontraverse, me shumë deklarata të mëdha, me shumë përplasje politike dhe me shumë premtime që u bënë pjesë e debatit publik. Për disa ishte njeri që dinte të komunikonte me popullin. Për të tjerë ishte simbol i politikës së zhurmës, jo i shtetndërtimit.
Por fakti që figura të tilla arrijnë të mbijetojnë politikisht tregon diçka më të thellë: votuesi shpesh nuk e gjykon më individin me standard të lartë. Shpesh e sheh vetëm partinë, flamurin, liderin qendror ose kundërshtarin që do ta ndëshkojë. Kështu, qyteti kalon nga vota për personalitetin te vota për valën.
Dikur Mitrovica prodhonte personalitete që i jepnin peshë kombit. Sot shpesh partitë ia imponojnë Mitrovicës figura që marrin peshë prej partisë, jo prej vetes.
Ky është dallim i madh.
Isa Boletini nuk kishte nevojë për parti që ta bënte të madh. Ai vetë ishte peshë historike. Nexhip Draga nuk kishte nevojë për propagandë digjitale për ta dëshmuar vlerën e tij. Rexhep Mitrovica nuk kishte nevojë për rrjete sociale për ta ndërtuar emrin. Kadri Veseli dhe Bajram Rexhepi dolën nga një kohë kur politika lidhej me luftë, rrezik, sakrificë dhe përgjegjësi historike.
Sot shumë figura politike dalin nga marketingu, nga servilizmi partiak, nga algoritmi i rrjeteve sociale dhe nga loja e emocioneve.
Kjo është rënia më e madhe.
Mitrovica nuk ka rënë sepse e ka fituar VV-ja. Mitrovica nuk ka rënë sepse ka humbur PDK-ja. Rënia është më e thellë: Mitrovica ka humbur standardin e madh që duhet ta ketë për njerëzit që e përfaqësojnë.
Në një qytet me histori kaq të rëndë, qytetari nuk duhet të kënaqet me pak. Nuk duhet ta pranojë çdo kandidat vetëm pse është i partisë që e do. Nuk duhet ta falë paaftësinë vetëm pse vjen nga “tabori ynë”. Nuk duhet ta arsyetojë arrogancën vetëm pse kundërshtari është më i keq. Nuk duhet ta shesë votën emocionale si ndryshim historik.
Sepse Mitrovica e meriton më shumë.
PDK-ja duhet ta kuptojë se nuk mund të jetojë përgjithmonë nga trashëgimia e UÇK-së. UÇK-ja është histori e lavdishme, por vota e sotme kërkon edhe përgjigje për jetën e sotme. Qytetari e respekton luftën, por kërkon punë. E respekton sakrificën, por kërkon zhvillim. E respekton Kadri Veselin, Bajram Rexhepin dhe shumë figura të tjera, por nuk i jep automatikisht votën një partie vetëm pse ajo thirret në të kaluarën.
VV-ja, nga ana tjetër, duhet ta kuptojë se Mitrovica nuk është trofe. Nuk mjafton ta fitosh Mitrovicën me përqindje të lartë. Duhet ta qeverisësh me dinjitet. Duhet ta dëshmosh se je më shumë se fushatë. Duhet ta tregosh se mund ta kthesh besimin në punë konkrete.
Faton Peci sot ka barrë të madhe. Ai nuk e ka marrë një komunë të zakonshme. E ka marrë Mitrovicën. Qytetin që historikisht ka qenë plagë dhe krenari njëkohësisht. Nëse ai dështon, nuk dështon vetëm një kryetar komune. Dështon edhe shpresa e një qyteti që prapë ka provuar të besojë ndryshe.
Mitrovica duhet të dalë nga cikli i mashtrimit politik. Nga cikli ku një parti vjen, tjetra ikën, por qyteti mbetet me të njëjtat probleme. Nga cikli ku politikanët flasin për histori, por nuk ndërtojnë të ardhme. Nga cikli ku emrat e mëdhenj të së kaluarës përdoren për dekor, ndërsa qytetari i sotëm mbetet pa perspektivë.
Mitrovica nuk ka nevojë për politikanë që e përmendin Isa Boletinin vetëm në përvjetor. Ka nevojë për njerëz që e kuptojnë çka do të thotë përgjegjësi publike. Nuk ka nevojë për fjalë të mëdha për UÇK-në vetëm në fushatë. Ka nevojë për shtet serioz, ekonomi serioze dhe qeverisje serioze. Nuk ka nevojë për figura që bëjnë zhurmë. Ka nevojë për figura që bëjnë punë.
Qyteti i Isa Boletinit, i Rexhep Mitrovicës, i Nexhip Dragës, i Kadri Veselit dhe i Bajram Rexhepit nuk guxon të pajtohet me mesataren. Nuk guxon të bëhet qytet ku mjafton me bë pak show, me folë ashpër, me u lidhë me një parti të fortë dhe me marrë vota.
Mitrovica duhet ta kthejë standardin e vet.
Sepse në fund, historia nuk pyet kush e fitoi një palë zgjedhje. Historia pyet kush e ngriti qytetin, kush e mbrojti dinjitetin e tij, kush i dha shpresë rinisë, kush krijoi punë, kush ndërtoi institucione dhe kush nuk e përdori Mitrovicën vetëm si emër të madh për interesa të vogla.
Mitrovica ka qenë shumë e madhe për t’u zvogëluar në kalkulim partiak.
Dhe nëse ky qytet dikur i dha kombit njerëz që hynë në histori, sot duhet të kërkojë politikanë që të paktën nuk e turpërojnë atë histori.





















You must be logged in to post a comment Login