Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës, ku një 54-vjeçar ka vrarë me armë zjarri një 20-vjeçar në zonën e Amoudaras, në Iraklio, për motive hakmarrjeje.
Sipas autoriteteve greke, autori i kishte zënë pritë të riut, duke i bllokuar rrugën me makinë dhe duke hapur zjarr teksa ai ndodhej ende brenda automjetit.
Viktima tentoi të largohej me vrap, por u ndoq nga agresori, i cili vijoi të qëllonte deri sa e la të vdekur në një ambient me dhoma me qira. 20-vjeçari u transportua në Spitalin Universitar të Iraklios, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij.
Familjarët e viktimës ndodhen në gjendje shoku.
Menjëherë pas krimit, 54-vjeçari u vetëdorëzua në polici, duke pranuar autorësinë.
Ai pritet të përballet me akuza të rënda.
Ngjarja lidhet me një aksident rrugor të ndodhur në vitin 2023, ku djali 17-vjeçar i autorit humbi jetën pas disa ditësh në spital.
Prej asaj kohe, autori e konsideronte viktimën përgjegjëse për tragjedinë.
Hetimet kanë zbuluar edhe episode të mëparshme dhune.
Ndërkohë, policia ka ndaluar edhe bashkëshorten e autorit, e cila dyshohet se ishte e pranishme në momentin e krimit dhe mund të ketë bashkëpunuar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, në një rast që rikthen në vëmendje zinxhirin e hakmarrjes në Kretë.





















You must be logged in to post a comment Login