Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e vendit drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën.
Kjo deklaratë, sipas dyshes Osmani-Abdixhiku është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës. “Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë.
Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse.
Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike.” Osmani dhe Abdixhiku e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, se nëse nuk zgjedhet Amerika, nënkupton zgjedhja e armiqve.
Prandaj, sipas tyre, Kosova duhet të ketë partneritet afatgjatë energjetik me ShBA-në. “Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare.
Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë.
Sepse energjia nuk është vetëm ekonomi.
Energjia është siguri.
Energjia është sovranitet.
Energjia është aleancë.
Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj.”





















You must be logged in to post a comment Login