Lewandowski po i afrohet një largimi sensacional nga Barcelona, teksa interesi nga Lindja e Mesme po intensifikohet.
Sulmuesi veteran raportohet se është pranë pranimit të një pakete financiare që do t’i ndryshonte jetën, për t’u transferuar në Lindjen e Mesme këtë verë.
E ardhmja e Lewandowskit në “Camp Nou” është vënë seriozisht në pikëpyetje pas raportimeve se gjiganti saudit Al-Hilal ka dorëzuar një ofertë zyrtare kontrate.
Sipas WP Sportowe Fakty, klubi me bazë në Riad është i vendosur të sigurojë shërbimet e 37-vjeçarit, ndërsa synon të forcojë repartin ofensiv me një tjetër ikonë botërore.
Edhe pse javët e fundit me sulmuesin e Kombëtares së Polonisë janë lidhur disa klube, përfshirë Juventusin, Milanin dhe ekipin e MLS-së, Chicago Fire, Al-Hilal ka dalë në plan të parë si favorit.
Raportohet se sauditët janë afër arritjes së marrëveshjes, ndërsa burime pranë situatës sugjerojnë se Lewandowski është “afër pranimit” të propozimit, i cili do t’i jepte fund aventurës së tij në La Liga.
Përmasat e ofertës janë vërtet të jashtëzakonshme, edhe për standardet e shpenzimeve të fundit në Superligën e Arabisë.
Lewandowskit i është ofruar një pagë marramendëse prej 90 milionë eurosh në sezon për ta pranuar kalimin.
Kjo do të ishte pa diskutim kontrata më e majme e karrierës së tij të lavdishme, duke e tejkaluar ndjeshëm atë që fiton aktualisht në Kataloni.
Pavarësisht raportimeve të mëhershme nga mediumi spanjoll AS se shqetësime gjeopolitike mund ta dekurajonin sulmuesin nga një lëvizje drejt Lindjes së Mesme, duket se pesha e paketës financiare ka ndryshuar krejtësisht situatën.





















You must be logged in to post a comment Login