Ka momente në futboll që nuk harrohen kurrë, pavarësisht sa kohë kalon.
Për tifozët e Bosnjës dhe Hercegovinës, një prej tyre mbetet ndeshja ndaj Nigerisë në Kupën e Botës 2014, kur një vendim i diskutueshëm i gjyqtarëve mund t’i kushtonte ekipit kombëtar kualifikimin historik në fazën e eliminimit direkt.
Pas humbjes ndaj Argjentinës në ndeshjen e parë të grupit, Bosnja kishte nevojë për rezultat pozitiv ndaj Nigerisë për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje.
Në minutën e 21-të, Zvjezdan Misimović dhuroi një asistim të shkëlqyer për Edin Dzekon, i cili e dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi festën e tifozëve boshnjakë.
Megjithatë, festa zgjati pak.
Asistenti ngriti flamurin për pozitë jashtë loje, ndërsa gjyqtari nga Zelanda e Re, Peter O’Leary, anuloi golin.
Pamjet televizive treguan qartë se Dzeko ishte në pozicion të rregullt dhe se goli duhej të ishte pranuar.
Vetëm pak minuta më vonë, Nigeria realizoi golin e fitores.
Boshnjakët protestuan edhe për aksionin që parapriu golin, pasi konsideronin se ishte bërë faull ndaj kapitenit Emir Spahic, por loja vazhdoi dhe Peter Odemwingie shënoi për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes, Bosnja sulmoi pa pushim në kërkim të barazimit.
Edin Dzeko ishte pranë golit në momentet vendimtare, por goditi shtyllën, ndërsa fati nuk ishte në anën e “Dragonjve”.
Edhe pas më shumë se një dekade, ai gol i anuluar vazhdon të konsiderohet si një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e futbollit boshnjak.
Vetë Dzeko ka pranuar se nuk do ta harrojë kurrë atë moment.
Megjithatë, Bosnja e mbylli atë Botëror me një fitore 3-1 ndaj Iranit, duke regjistruar suksesin e saj të parë në një turne të madh.





















You must be logged in to post a comment Login