Të hënën pasdite, Shkupi jehoi nga zëri i shqiptarëve.
Studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, u bashkuan në protestë për të kërkuar drejtësi dhe barazi gjuhësore.
Me qindra qytetarë nga të gjitha trojet shqipfolëse, por edhe nga diaspora, iu bashkuan kësaj thirrjeje, duke mbështetur kërkesën që provimi i jurisprudencës në RMV të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Kjo protestë, e cilësuar si paqësore, pritej të niste marshimin drejt Ministrisë së Drejtësisë në Shkup qysh nga ora 16:30, por për shkak të ndalimit dhe bllokimit të disa studentëve nga Shqipëria, të cilët nuk arritën të marrin pjesë në organizim, rrugëtimi u nis me vonesë.
Studentët shqiptarë deklaruan se autobusi i mbushur me ta që vinin nga Shqipëria, u devijua për në Beograd.
Dasho Veizaj, student – deklaroi se bashkë me kolegët e tij, kanë mbetur të bllokuar vetëm 15 minuta larg Shkupit.
Por as kjo nuk arriti t’i ndalte studentët që të kërkonin drejtësi.
Para Ministrisë së Drejtësisë, studentët që folën para turmës nuk kërkuan privilegje, por vetëm barazi.
Të njëjtit kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Megjithatë, pavarësisht thirrjes për protestë paqësore, autoritetet maqedonase arrestuan pesë studentë.
Ende nuk është dhënë ndonjë informacion shtesë nëse të njëjtit janë liruar apo jo.





















You must be logged in to post a comment Login