Bashkimi Evropian ka vendosur të zhbllokojë fondet me vlerë prej 16.4 miliardë euro për Hungarinë, pas reformave të ndërmarra nga qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Vendimi u bë i ditur të premten në Bruksel nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila konfirmoi se Hungaria ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për lirimin e fondeve të ngrira prej vitesh.
Sipas saj, janë zhbllokuar 10 miliardë euro nga Fondi Evropian i Rimëkëmbjes, ndërsa 4.2 miliardë euro të tjera do të vijnë nga fondet e kohezionit.
Komisioni Evropian ka konstatuar progres të rëndësishëm edhe në lidhje me 2.2 miliardë euro shtesë, të cilat lidhen me garantimin e lirive akademike dhe autonominë e institucioneve arsimore.
Fondet për Hungarinë ishin bllokuar gjatë viteve të fundit për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Brukseli lidhur me qeverisjen e mëparshme të kryeministrit Viktor Orban.
Institucionet evropiane kishin kritikuar vazhdimisht Budapestin për mangësi në pavarësinë e gjyqësorit, transparencën institucionale dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas mediave ndërkombëtare, marrëveshja e arritur mes Brukselit dhe Budapestit shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Hungarisë, pas 16 vitesh të qeverisjes së Viktor Orbanit.





















You must be logged in to post a comment Login