Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot vizitën e tij zyrtare në Kosovë.
Hoxha e cilësoi vizitën në Prishtinë si një moment të veçantë dhe me domethënie të thellë personale dhe profesionale, duke theksuar se Kosova ka qenë pjesë e pandarë e angazhimit të tij diplomatik përgjatë 36 viteve të karrierës. “Ky është një moment i veçantë, madje unik për mua.
Si diplomat i Republikës së Shqipërisë, Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime gjatë çdo dite në 36 vitet e karrierës sime diplomatike.
Në detyrën që mbaj sot, kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim bëhen veçse më të dukshëm.
Prandaj ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë zyrtare në Kosovë, në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, një privilegj i shumëfishtë dhe me domethënie të veçantë”. “Ishte kuptimplotë që homologu i parë që u prit nga Shqipëria pas marrjes së detyrës nuk ishte askush tjetër përveçse Glauk Konjufca.
Prandaj dua të të falënderoj shumë përmrzishëm, përzemërsisht për mikpritjen e ngrohtë, si dhe për komunikimin e ngushtë e vëllazëror që kemi ndërtuar bashkë qëkurse u takuam për herë të parë”, tha Hoxha.
Hoxha shtoi se çdo zhvillim në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në Shqipëri, në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme mes dy vendeve. “Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar.
Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë, të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri”. “Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik.
U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime ministrore apo dhe më lart, siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë.
Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë çdo vlerësi zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete të cilat kanë impakt për qytetarët”, tha ai./EO





















You must be logged in to post a comment Login