Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2026.
Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, ASK tregon për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0% në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milionë euro në vitin 2025, raporton Klankosova.tv.
ASK thotë se në këtë periudhë, eksporti ka mbuluar importin me 14,7%.
Eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro, që është një rritje prej 15,7% për eksport, si dhe një rritje prej 5,6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, tha ASK në raport.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,0% e përbëjnë produktet minerale; etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2% e përbëjnë produktet minerale, 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7% e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.





















You must be logged in to post a comment Login