Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka konfirmuar se nuk ka asnjë marrëveshje rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ai sqaroi se deri më tani, partia e tij nuk ka bërë asnjë propozim për emrin e kandidatit për këtë pozitë.
Në një deklaratë për mediat, Hamza tha se PDK-ja nuk e ka propozuar kryetaren e Akademisë së Shkencave, Justina Shiroka-Pulën, si kandidate për president. Ai theksoi se ende nuk është arritur në një fazë ku të diskutohet një propozim konkret.
“Jo, nuk ka marrëveshje. Nuk kemi propozuar asnjë kandidat, sepse ende nuk kemi mbërritur fare te propozimi,” deklaroi Hamza para gazetarëve.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e angazhuar për të siguruar që vendi të ketë një president të ri sa më shpejt, por gjithashtu theksoi rëndësinë që ky proces të bëhet në bazë të parimeve të qarta dhe konsensuale.
“Ne jemi angazhuar që vendi të ketë një president, dhe urojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt. Por, për të arritur te ky qëllim, ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi, që Presidenti të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një emër i dinjitetshëm dhe i pranueshëm për të gjithë,” shtoi Hamza.
Deklaratat e Hamzës vijnë në një kohë kur debati për zgjedhjen e presidentit është në kulm, dhe PDK-ja është duke kërkuar konsensus për një kandidat të pranuar nga shumica e deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës.




















