Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, duke e cilësuar këtë si dënimin e vetëm proporcional me peshën e veprës penale dhe pasojat e saj.
Në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit Naim Abazi tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe rendit kushtetues përbën një nga veprat më të rënda dhe më të organizuara, prandaj mesazhi i drejtësisë duhet të jetë i qartë dhe i pakompromis.
Ai theksoi se sulmet e armatosura ndaj institucioneve shtetërore nuk duhet të tolerohen dhe duhet të ndëshkohen me ashpërsinë më të lartë të paraparë me ligj. Sipas tij, nëse në raste të tilla nuk aplikohet dënimi maksimal, atëherë dobësohet efekti parandalues i ligjit dhe krijohet perceptimi i rrezikshëm i relativizimit të cenimit të rendit kushtetues.
Prokuroria vlerësoi se në këtë rast kemi të bëjmë me një veprim me natyrë të rëndë dhe të organizuar, me shkallë të lartë rrezikshmërie shoqërore, me organizim paraushtarak dhe me pasoja serioze për sigurinë e vendit. Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, dënimi i vetëm i drejtë është burgimi i përjetshëm.
Në fund të fjalës së tij, prokurori Abazi kërkoi nga gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq dhe për secilin prej tyre të shqiptohet dënimi maksimal, jo më pak se burgim i përjetshëm.
Sipas Prokurorisë, çdo dënim më i ulët se burgimi i përjetshëm do të ishte i papërshtatshëm me peshën e veprës dhe nuk do të përmbushte funksionin ndëshkues dhe parandalues të drejtësisë penale.
Ky rast konsiderohet një nga më të rëndësishmit në aspektin e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, ndërsa vendimi përfundimtar i gjykatës pritet me interes të madh publik.




















