Ish-mesfushori i Kosovës U21, Besfort Zeneli, është përfshirë në listën e Suedisë për Kampionatin Botëror 2026, që nis më 11 qershor. 22-vjeçari luan si mesfushor dhe aktualisht është pjesë e klubit belg Union SG.
Ai kishte qenë pjesë e Kosovës U21 në periudhën 2022-2024, ku regjistroi gjashtë paraqitje, ndërsa më pas vendosi ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare me Suedinë.
Kalimi i tij te suedezët është konkretizuar shpejt edhe në nivelin më të lartë, pasi Zeneli tashmë ka gjashtë ndeshje me Suedinë A.
Debutimin e bëri më 22 mars 2025, duke hyrë kështu në planet e trajnerit përpara turneut më të madh të futbollit.
Pavarësisht se Suedia ka në përbërje disa emra të spikatur nga Liga Premier, Zeneli ka arritur të gjejë hapësirë në konkurrencën e fortë në mesfushë, duke siguruar ftesën për Botëror.
Rruga e Suedisë drejt kualifikimit nuk ishte e lehtë.
Në grupin kualifikues ku ishte edhe Kosova, suedezët pësuan dy humbje nga “Dardanët”: 2-0 në Prishtinë më 8 shtator dhe 1-0 në Goteborg më 13 tetor të vitit të kaluar.
Në fund, Suedia e mbylli grupin në vendin e fundit, pas Zvicrës, Kosovës dhe Sllovenisë.
Megjithatë, falë suksesit në Ligën e Kombeve, Suedia e siguroi një shans të dytë përmes ‘play-off’-it.
Në gjysmëfinale triumfoi 3-1 ndaj Ukrainës në Valencia, ndërsa më pas fitoi 3-2 ndaj Polonisë, duke e konfirmuar kualifikimin në Kupën e Botës.





















You must be logged in to post a comment Login