Në seancën fillestare të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Astrit Zogjani në cilësinë e menaxherit të Financave dhe Faton Rrustemi në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në Pallatin e Rinisë, pranuan fajësinë për lidhur me akuzën për korrupsion, ku dëmi i përgjithshëm sipas Prokurorisë është mbi 100 mijë euro.
Në këtë rast, Astrit Zogjani po ngarkohet me veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa Faton Rrustemi po akuzohet për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare’”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, prokurori special Naim Abazi njoftoi Gjykatën se Prokuroria ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me mbrojtësin e të akuzuarit Faton Rrustemi, avokatin Hajzer Salihu.
Ndërsa, i akuzuari Astrit Zogjani pranoi fajësinë gjatë seancës, duke shprehur keqardhje dhe deklaroi se i kupton të gjitha veprimet e tij dhe se në kohën e kryerjes së veprës penale ishte në gjendje të rëndë emocionale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Zogjani, avokati Faton Hyseni, mbështeti pranimin e fajësisë, duke kërkuar dënim të butë në atë masë sa që i mbrojturi i tij të jetë në gjendje të punojë, të mbajë familjen dhe të arrihet kompensimi i dëmit për palën e dëmtuar.
Edhe prokurori Abazi deklaroi se konsideron që pranimi i fajësisë është në përputhje me ligjin dhe është bërë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe vullnetare.
Prokurori propozoi që kjo të merret si rrethanë lehtësuese, por kërkoi që në shqiptim të dënimit Gjykata të ketë parasysh natyrën e veprës penale dhe shkallën e rrezikut shoqëror.
Gjyqtarja e rastit, Violeta Namani-Hajra aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Zogjani.
Lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë nga i akuzuari Faton Rrustemi, prokurori deklaroi se palët kanë arritur t’i propozojnë Gjykatës dënimin si në marrëveshje, duke kërkuar nga Gjykata të ketë parasysh bashkëpunimin e të akuzuarit gjatë procedurës hetimore.
Edhe avokati Salihu deklaroi se i qëndron pranë kësaj marrëveshjeje dhe shtoi se edhe me një dënim si ai i propozuar do të arrihet qëllimi i dënimit.
Më pas, Gjykata aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë nga i akuzuari Faton Rrustemi.
Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar “Pallati i Rinisë”, Irma Bajrami, deklaroi se kanë bërë kërkesën për kompensim të dëmit material në shumën prej 107 mijë e 675 eurove e 21 centësh.
Më pas, gjyqtarja Namani-Hajra shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.
Ndryshe, sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të 30 marsit 2026, i akuzuari Astrit Zogjani akuzohet se nga data 24 shtator 2021 e deri më 19 korrik 2022 në ndërmarrjen publike lokale “Pallati i Rinisë”, në cilësinë e menaxherit të Financave, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe duke shfrytëzuar autorizimet financiare dhe qasjen në sistemin bankar të Ndërmarrjes, ka përvetësuar për vete pasurinë që i ishte besuar, ku pa bazë ligjore ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë prej 39 mijë e 957 eurove e 7 centësh, nga llogaria e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale, duke përfituar dobi pasurore në atë shumë derisa ndërmarrja pësoi humbje të pasurisë.
Me këtë, Zogjani akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga Neni 418, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe Nenin 77 të Kodit Penal.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i akuzuari Astrit Zogjani në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Pallati i Rinisë” ngarkohet se nga data 20 gusht 2022 deri më 3 dhjetor 2022 duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimin pasuror, ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë të përgjithshme 97 mijë e 597 euro e 19 centë nga llogaria zyrtare e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale dhe të personave të tjerë.
Kështu, në aktakuzë thuhet se këto shuma u transferuan në disa transaksione, ku përfshihen: 58 mijë e 697 euro e 19 centë në dy llogari të tij bankare, 17 mijë e 150 euro në llogari të pronarit të autosallonit “Auto Plus”, Arsim Xhylanit, 6 mijë euro në llogari të babait të këtij të fundit, Bajram Xhylanit, 6 mijë e 500 në llogari të Jahir Berishës, 9 mijë e 250 euro në llogari të të pandehurit Faton Rrustemi.
Aty thuhet se këto shuma janë transferuar me përshkrime të ndryshme të rreme si “pagesë për shpenzime”, “pagesë”, “pagesë për punë”, “pagesë për paga” etj.
Tri nga shumat e lartpërmendura, thuhet se transferuar me përshkrim të rremë “pagesë për punë”, edhe pse të njëjtit nuk kishin marrëdhënie kontraktuale dhe nuk kishin kryer punë për Ndërmarrjen, por në realitet ato ishin për blerjen e automjetit “Range Rover Sport”, i cili ishte i destinuar për përdorim personal të të pandehurit e jo ndërmarrjes. Me këto veprime, thuhet se i pandehuri përfitoi dobi pasurore të kundërligjshme për vete dhe për personat tjerë.
Me këtë, Zogjani akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe Nenin 77 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Faton Rrustemi në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në të njëjtën ndërmarrje, akuzohet se me dashje ka ndihmuar të pandehurin Zogjani në kryerjen e veprës penale sipas pikës 2 të aktakuzës, duke ndërmarrë veprime që kanë lehtësuar kryerjen e kësaj vepre.
Aktakuza thotë që pasi Zogjani kishte transferuar shumën prej 9 mijë e 250 euro nga llogaria zyrtare e ndërmarrjes në llogarinë e të akuzuarit Rrustemi me përshkrim të rremë “për punët në vazhdim për invalidë”, i akuzuari Rrustemi e ka tërhequr këtë shumë dhe ia ka dorëzuar atij në dorë.
Me këtë, ngarkohet me veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe Nenin 33 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi





















You must be logged in to post a comment Login