Gjyqtari polak Szymon Marciniak ka reaguar sërish lidhur me ndeshjen e shumëpërfolur Inter–Barcelona të vitit 2025, përballje gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve që u zhvillua në “San Siro” dhe u mbyll me fitoren e italianëve pas kohës shtesë, 4-3.
Ajo ndeshje u shoqërua me dy ndërhyrje vendimtare të VAR-it.
Marciniak akordoi një penallti për Interin pas ndërhyrjes së Pau Cubarsi ndaj Lautaro Martínez, ndërsa një tjetër penallti, e dhënë fillimisht pas një faulli ndaj Lamine Yamal, u anulua më pas sepse kontakti kishte ndodhur pak jashtë zonës.
Gati një vit më vonë, gjatë një eventi në Poloni, një tifoz i Barcelonës e kritikoi për gjykimin e atij takimi.
Marciniak u përgjigj pa hezitim, duke theksuar se, sipas tij, vendimet e tij fillestare në fakt kishin qenë në favor të Barcelonës, por u korrigjuan nga VAR-i. ‘Nuk kam asgjë për të kërkuar falje, për të qenë i sinqertë.
Nga këndvështrimi im, nuk ka asgjë për të kërkuar falje.
Nëse jemi të sinqertë, vendimet e mia favorizuan Barcelonën.
Nuk i dhashë penallti Interit dhe VAR më thirri për të parë pamjet.
Së dyti, dhashë një penallti dhe ata më korrigjuan sepse ishte katër ose pesë centimetra jashtë zonës.
Pra, ato ishin dy vendime në favor të Barcelonës, por VAR më korrigjoi.
Kështu është jeta’, deklaroi Marciniak.