Juventusi ka vendosur Gabriel Jesus në listën e objektivave të afatit kalimtar veror, ndërsa klubi torinez po kërkon një zëvendësues për Dusan Vlahovic, i cili pritet të mos rinovojë kontratën me bardhezinjtë.
Sipas Tuttomercatoweb, drejtuesit e Juventusit po analizojnë disa alternativa pasi kanë konfirmuar se Vlahovic nuk do të zgjasë marrëveshjen e tij aktuale, duke e bërë largimin e tij një skenar gjithnjë e më të mundshëm.
Fillimisht, prioriteti kryesor i klubit italian mbetet sulmuesi i Atletico Madridit, Alexander Sorloth, por negociatat për transferimin e tij janë ngadalësuar dhe aktualisht nuk ka përparim konkret.
Për këtë arsye, Juventus ka nisur të monitorojë situatën e disa sulmuesve të tjerë në treg, përfshirë Gabriel Jesus të Arsenalit, Nicolas Jackson të Chelseat dhe Randal Kolo Muani të Paris Saint-Germainit.
Arsenali, ndërkohë, nuk ka ndërmend të lehtësojë largimin e brazilianit.
Klubi londinez ka vendosur një çmim të prerë prej rreth 20 milionë paundësh për kartonin e tij dhe nuk është i gatshëm të bëjë ulje të mëdha, duke marrë parasysh përvojën dhe rolin e tij në skuadër.
Trajneri Mikel Arteta e ka vlerësuar më herët Gabriel Jesus si një lojtar ‘special’, por konkurrenca e fortë në repartin ofensiv ka bërë që braziliani të zbresë në hierarkinë e sulmit në ‘Emirates Stadium’.
Këtë sezon, Jesus ka pasur minuta të kufizuara, duke regjistruar gjashtë gola dhe dy asistime në më pak se 1,000 minuta në të gjitha garat.





















You must be logged in to post a comment Login