Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i është përgjigjur kryeparlamentares Albulena Haxhiu lidhur me kërkesën që ajo ka dorëzuar një ditë më parë për shqyrtim në këtë institucion.
Përmes një shkrese zyrtare, Kushtetuesja ka njoftuar Haxhiun se kërkesa është regjistruar dhe tashmë është futur në procedurë shqyrtimi. Sipas dokumentit, lënda është regjistruar me numrin K.068/26 dhe është parashtruar nga kryetarja e Kuvendi i Republikës së Kosovës së bashku me nëntë deputetë të tjerë.
Kërkesa ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, një çështje që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si zhvillohet procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit në institucionin ligjvënës.
Në shkresën e dërguar nga Gjykata Kushtetuese theksohet gjithashtu se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë të paraqesin qëndrimet dhe komentet e tyre lidhur me këtë rast. Sipas njoftimit, ata mund t’i dorëzojnë komentet me shkrim në Gjykatë deri më 9 mars 2026, afat brenda të cilit mund të paraqiten argumente apo sqarime shtesë për çështjen në fjalë.
Pas përfundimit të këtij afati dhe shqyrtimit të të gjitha materialeve të dorëzuara, pritet që Gjykata Kushtetuese të vazhdojë procedurën e trajtimit të rastit dhe më pas të dalë me një vendim lidhur me kushtetutshmërinë e procedurës së zgjedhjes së presidentit. Vendimi i kësaj gjykate konsiderohet përfundimtar dhe detyrues për institucionet e vendit.




















