Kreu i FFK-së: 10-vjetori i Anëtarësimit të Kosovës në UEFA, Moment Historik për Futbollin Kosovar


- Advertisement -

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit dhe të futbollit kosovar.


- Advertisement -

Në një mesazhnë rrjetet sociale, Ademi theksoi se muaji maj shënon një jubile të dyfishtë historik, duke kujtuar pranimin e Kosovës në UEFA më 3 maj 2016 në Kongresin e Budapestit, si dhe anëtarësimin në FIFA më 13 maj të po atij viti në Meksikë.

Sipas tij, këto dy data shënuan fundin e një periudhe izolimi dhe hapjen e një kapitulli të ri për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

Ky jubile përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, theksoi Ademi.

Ai nënvizoi progresin e madh të arritur gjatë kësaj dekade, duke përmendur ngritjen e Kosovës nga pozita e 190-të në renditjen e FIFA-s në vendin e 78-të aktualisht, si dëshmi e zhvillimit të shpejtë dhe potencialit të futbollit vendor.

Ademi rikujtoi sukseset sportive të Kombëtares, duke përfshirë ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League dhe paraqitjet në kualifikimet për Botërorin 2026, ku Kosova siguroi play-off-in në një grup të fortë.

Ai përmendi gjithashtu ndeshjet konkurruese ndaj Zvicrës, Suedisë e Sllovenisë, si dhe fitoren ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale.

Edhe pse finalja ndaj Turqisë nuk përfundoi sipas dëshirës sonë, rrugëtimi ynë na jep besim se kualifikimi në Euro 2028 është një objektiv i arritshëm, u shpreh ai.

Kreu i FFK-së theksoi se progresi nuk është kufizuar vetëm te Kombëtarja A, por përfshin edhe ekipet zinxhir, futsallin dhe futbollin e femrave, si dhe sukseset e klubeve kosovare, veçanërisht Ballkanit dhe Dritës në garat evropiane.

Në planin infrastrukturor, Ademi veçoi investimet e realizuara përmes programeve UEFA HatTrick dhe FIFA Forward, duke përmendur ndërtimin e selisë së re të FFK-së, përmirësimin e stadiumit Fadil Vokrri, si dhe zhvillimin e Kampit Nacional në Hajvali dhe projekteve të tjera në mbarë vendin.

Leave a Reply