Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryeministrit të Kosova, Albin Kurti, duke ofruar një pasqyrë të përditësuar mbi gjendjen e tij financiare dhe atë familjare.
Nga të dhënat e publikuara vërehet se në aspektin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndryshime të theksuara krahasuar me vitin paraprak. Si pasuri e paluajtshme, vazhdon të figurojë banesa në pronësi të bashkëshortes së tij, me vlerë të deklaruar rreth 530 mijë euro.
Megjithatë, ndryshime janë evidentuar në aspektin e shpenzimeve dhe kursimeve. Sipas deklarimit, qiraja mujore për banesën ku jeton familja e kryeministrit është rritur, duke arritur në 350 euro, nga 250 euro sa ishte një vit më parë, pra një rritje prej 100 eurosh.
Në anën tjetër, kursimet e deklaruara kanë pësuar rënie. Në emër të tij personal, Kurti ka deklaruar një shumë simbolike prej 16.41 centë para të gatshme. Ndërkohë, në emër të bashkëshortes janë deklaruar 19,500 euro, të cilat sipas të dhënave burojnë nga paga dhe trashëgimia familjare. Po ashtu, janë deklaruar edhe kursime në emër të vajzës së tyre, përkatësisht 2,000 euro si dhe 50 euro shtesë, të cilat thuhet se kanë prejardhje nga familjarët.
Krahasuar me vitin e kaluar, kur kryeministri kishte deklaruar rreth 1,800 euro kursime, këtë vit vihet re një ulje e dukshme e mjeteve të disponueshme në emër të tij.
Sa i përket detyrimeve financiare, në deklarim figuron kredia e bashkëshortes, me një vlerë të mbetur prej rreth 160 mijë eurosh, e cila mbetet një nga angazhimet kryesore financiare të familjes.
Në seksionin e të hyrave vjetore, Kurti ka deklaruar rreth 21,315 euro të ardhura nga paga si kryeministër, ndërsa bashkëshortja e tij ka raportuar të ardhura prej rreth 51 mijë eurosh.
Publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë, një proces që synon rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies në institucionet e vendit.




















