Operacion masiv në Spanjë: 19 të arrestuar për trafik droge, dyshohet edhe për shqiptarë


- Advertisement -

Policia Kombëtare e Spanjë ka finalizuar me sukses një operacion të gjerë kundër trafikimit të drogës, duke shkatërruar dy organizata kriminale që vepronin paralelisht në të njëjtat zona. Aksioni erdhi pas një hetimi intensiv që zgjati rreth një vit dhe u shtri në disa rajone kyçe të vendit.


- Advertisement -

Operacioni përfshiu 19 arrestime dhe 26 kontrolle pronash në provincat Malaga, Cordoba dhe Jaen. Burime mediatike bëjnë të ditur se në mesin e të arrestuarve dyshohet të ketë edhe shtetas shqiptarë, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi identitetin e të përfshirëve.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme narkotikësh, përfshirë kokainë dhe marihuanë, si dhe armë zjarri, automjete luksoze, pajisje të avancuara mbikëqyrjeje dhe mbi 200 mijë euro para të gatshme. Hetimet nisën në janar të vitit të kaluar, duke u fokusuar fillimisht te drejtuesit e njërit prej grupeve që operonte në zonën turistike të Costa del Sol.

Gjatë hetimit, oficerët identifikuan strukturën e organizatës, e cila merrej me transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës. Pagesat për aktivitetet ilegale shpesh realizoheshin me këste ose përmes automjeteve të shtrenjta të importuara nga Gjermani, duke treguar një nivel të lartë organizimi dhe sofistikimi financiar.

Faza operative e aksionit kulmoi muajin e kaluar me 15 bastisje në qytete si Malaga, Benalmadena, Mijas, Fuengirola dhe Marbella. Si rezultat, u arrestuan 10 persona dhe u sekuestruan rreth 2 kg marihuanë, 2 kg hashash, substanca anabolike, para në valuta të ndryshme dhe shtatë automjete. Gjithashtu, policia gjeti dy ora luksoze me vlerë mbi 100 mijë euro, pajisje GPS për gjurmim, një armë me fishekë dhe një armë elektrike.

Ndërkohë, në mars të vitit 2025, hetuesit zbuluan një grup të dytë kriminal që operonte në të njëjtën zonë, por me shtrirje në territore më rurale. Ky rrjet furnizohej me drogë nga zona e Antequeras dhe Costa del Sol, duke përdorur bashkëpunëtorë të besuar për transportin drejt qyteteve si Linares, Villanueva de la Reina dhe Priego de Cordoba.

Hetimi i këtij grupi rezultoi më kompleks për shkak të karakterit rural të zonave ku operonin, çka e bënte më të vështirë mbikëqyrjen. Megjithatë, policia arriti të kapë një të dyshuar në flagrancë në Antequera gjatë një transaksioni droge. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, u zbulua një ndarje e fshehtë e integruar në derën e pasme, ku ishin fshehur 1.56 kg kokainë.

Ky zbulim çoi në një valë të re bastisjesh dhe arrestimesh. Në total, u sekuestruan edhe 143,505 euro shtesë dhe sasi të tjera të konsiderueshme droge. Faza përfundimtare e operacionit u realizua muajin e kaluar me tre arrestime të tjera dhe kontrolle në banesa në Priego de Cordoba dhe Villanueva de la Reina, ku policia gjeti edhe 3.25 kg kokainë dhe mbi 7 mijë euro para të gatshme.

Të gjithë 19 të arrestuarit tashmë përballen me akuza për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa autoritetet spanjolle e konsiderojnë këtë operacion si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve të organizuara që veprojnë në jug të vendit.

Leave a Reply