Sipas tij, lejimi i vizitave vetëm pasi një familjar ka ndërruar jetë nuk mund të cilësohet trajtim human, pasi disa prej të akuzuarve nuk janë lejuar as të marrin pjesë në varrimet e më të afërmve të tyre.
Gucati tha se për të, humanizëm do të ishte mundësia që të paraburgosurit të përshëndeteshin me familjarët para vdekjes ose të merrnin pjesë në ceremonitë mortore. “Unë e di që në mënyrë humanitare është kur të merr pjesë në varrim ose të sheh familjarin para se me vdekë.
Kam ardhë me pa babën para se me vdekë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka ardhë vetëm në momentet e fundit”, tha Gucati në një intervistë për EkonomiaOnline transmeton Klankosova.tv.
Ai u ndal te rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se pavarësisht kërkesave të shumta të familjes dhe institucioneve, Gjykata Speciale nuk e lejoi atë të qëndronte pranë babait të tij gjatë sëmundjes, ndërsa nuk iu dha leje as për të marrë pjesë në varrim. “Sa lutje e sa kërkesa janë bërë që zoti Thaçi të vinte kur babai ishte i sëmurë.
E pa vetëm për pak minuta në spital, ndërsa në varrim nuk e kanë lejuar fare.
Nuk mund ta quajmë këtë mënyrë humanitare”, u shpreh ai.
Gucati tha se edhe ai vetë kishte kaluar një përvojë të ngjashme pas vdekjes së babait, duke shtuar se vizitat kanë qenë të kufizuara në kohë dhe nën masa të rrepta sigurie. “Në varr kemi qëndruar rreth 20 minuta, ndërsa me familjen vetëm disa orë.
Nuk është humanizëm kur nuk mund të përshëndetesh për herë të fundit me prindin apo një anëtar të familjes”, deklaroi ai.
Sipas tij, ka pasur edhe raste kur të paraburgosurve nuk u është lejuar fare të vijnë në Kosovë. “Nasim Haradinajn nuk e kanë lejuar as në varrim e as për vizitë.
Ata mund ta quajnë si të duan, por për mua kjo nuk është humanitare”, tha Gucati.
Ai krahasoi qasjen e Dhomave të Specializuara me atë të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, duke kujtuar se ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte lejuar të merrte pjesë në varrimin e vëllait të tij, ndërsa Idriz Balaj kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të vajzës së tij.
Kreu i OVL UÇK-së, ngriti shqetësim edhe për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se pas përfundimit të dëshmive nuk sheh arsye që ata të mos mbrohen në liri deri në shpalljen e aktgjykimit. “Janë bërë gati gjashtë vjet në paraburgim.
Dëshmitarët dhe provat kanë përfunduar.
Nuk e di çfarë ligji lejon që njerëzit të mbahen kaq gjatë në burg hetues pa arsye.
Të paktën do të duhej të prisnin verdiktin në shtëpitë e tyre”, tha ai.
Ai shtoi se Organizata e Veteranëve të Luftës nuk është kundër drejtësisë, por kundërshton, siç tha, trajtimin që po u bëhet të akuzuarve. “Ne nuk jemi kundër drejtësisë.
Përkundrazi, kemi luftuar për drejtësi, por jemi të indinjuar me mënyrën se si po vepron Gjykata Speciale”, përfundoi Gucati.





















You must be logged in to post a comment Login