Aksidente trafiku, vrasje, goditje nga rryma elektrike dhe ngjarje të tjera tragjike i morën jetën nëntë personave brenda vetëm 72-orëve të fundit, duke e bërë fundjavën dhe fillimin e kësaj jave ndër më të rëndat për nga numri i viktimave.
Qetësinë e së dielës e trazoi fillimisht vdekja e një motoçiklisti në rrugën ‘Tirana’ në Gjakovë, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku.
Drejtori rajonal i Policisë së Trafikut në Gjakovë, Albin Sahatqija, e konfirmoi aksidentin dhe deklaroi: ‘Ka ndodhur rreth orës 02:20.
Motoçiklisti nuk iu ka përshtatur shpejtësisë dhe e ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trotuarin.
Si pasojë e shpejtësisë, ai është gjuajtur mbi veturën e cila ka qenë duke lëvizur në shiritin e vet’.
Në fshatin Maznik të Deçanit, babë e bir, Xhemajl Mustafaj dhe Hasan Mustafaj, humbën jetën pasi dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike derisa po pastronin veturën në oborrin e shtëpisë së tyre.
Mbrëmja e së dielës solli një viktimë tjetër në Ferizaj, ku një burrë mbeti i vrarë pas një përleshjeje ku dyshohet se u përdor armë zjarri.
Një vajzë e re nga fshati Damanek i Malishevës, Rina Krasniqi, humbi jetën në një aksident trafiku në Gjermani, ndërsa pjesëtari i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Zenel Gashi, vdiq gjithashtu në një aksident trafiku pranë pikëkalimit kufitar në Vërmicë, Prizren.
Në fshatin Dobërçan të Gjilanit, një person humbi jetën pasi ra në një bunar gjatë pastrimit të tij.
Në fshatin Zlipotok të Dragashit, një përleshje mes disa personave përfundoi me pasoja fatale, ku viktimë ishte imami 47-vjeçar Gazmen Tairovci.
Një grua 71-vjeçare humbi jetën pasi ra në një pus në fshatin Koshare.
Aksidentet në trafik, vrasjet, goditjet nga rryma elektrike dhe aksidentet fatale në rrethana të ndryshme lanë pas nëntë viktima brenda 72-orëve, duke e bërë fundin e qershorit një nga periudhat më të rënda të ditëve të fundit.





















You must be logged in to post a comment Login