Rreth 20 shkolla janë mbyllur në qytetin Borlänge në Suedia, pasi autoritetet lokale morën kërcënime që lidhen me mundësi dhune ndaj institucioneve arsimore, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike.
Sipas njoftimit të bashkisë, vendimi për mbylljen e 16 shkollave publike u mor si masë parandaluese për të mbrojtur nxënësit, mësuesit dhe stafin mbështetës. Paralelisht, edhe pesë shkolla private vendosën të ndërpresin aktivitetin mësimor përkohësisht, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme dhe vlerësimeve nga autoritetet e sigurisë.
Policia suedeze konfirmoi se ka marrë informacione për kërcënime që synojnë drejtpërdrejt shkollat në këtë qytet dhe ka nisur një hetim penal për “kërcënime serioze të paligjshme kundër një grupi”. Megjithatë, zyrtarët theksuan se në këtë fazë është ende herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një rrezik konkret apo për një alarm të rremë. Hetimet po përqendrohen në identifikimin e burimit të kërcënimeve dhe vlerësimin e besueshmërisë së tyre.
Qyteti i Borlänges, me rreth 45 mijë banorë, ndodhet rreth 200 kilometra në veri të Stokholm dhe është një qendër e rëndësishme rajonale. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qetësi, duke siguruar publikun se çdo veprim po merret në koordinim të ngushtë me policinë dhe shërbimet e emergjencës.
Ngjarje të tilla mbeten relativisht të rralla në Suedi, por klima e sigurisë është bërë më e ndjeshme pas një incidenti tragjik në Örebro në shkurt të vitit 2025, ku një person i armatosur vrau 10 persona në një qendër arsimore për të rritur — sulmi më i rëndë i këtij lloji në historinë moderne të vendit. Ky episod ka rritur vigjilencën e institucioneve dhe ka shtuar presionin për masa më të forta parandaluese.
Ndërkohë, hetimet për kërcënimet në Borlänge vijojnë, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë. Prindërit dhe komuniteti lokal po ndjekin situatën me shqetësim, duke pritur më shumë informacion mbi zhvillimet dhe një afat për rifillimin e procesit mësimor.