Ish-trajneiri Arsene Wenger ka paralajmëruar Arsenalin se në finalen e Ligës së Kampionëve do të përballet me një PSG të ‘kompletuar’, pasi parisienët eliminuan Bayern Munichun në gjysmëfinale.
Legjenda e ‘Topçinjve’, duke folur për beIN Sports pas ndeshjes së kthimit në Munich që përfundoi 1-1, theksoi se PSG e meritoi kualifikimin falë paraqitjes së disiplinuar dhe të pjekur taktike. ‘Pas një ndeshjeje të tillë, mund të thuash se Bayern nuk ishte në nivelin e pritur, ose mund të thuash se PSG zhvilloi një lojë shumë solide.
Personalisht, do të shkoja me të dytën’, tha Wenger.
Sipas tij, PSG u mbrojt në mënyrë fantastike, e mbajti presionin gjatë gjithë takimit dhe nuk i dha Bayernit asnjë shans apo shpresë reale për rikthim. ‘Në përgjithësi, do të vija në pah cilësinë e PSG-së, që janë bërë një skuadër vërtet e kompletuar, me kohezion të madh’.
Wenger veçoi edhe një tjetër armë të rrezikshme të ekipit parisien: efikasitetin në fazën përfundimtare. ‘Ata kanë edhe një cilësi të jashtëzakonshme: çdo sulmues i kësaj skuadre, në situata një kundër një, përfundon me goditje në portë dhe është e pandalshme.
Ata sigurohen që portieri të detyrohet të bëjë pritje – dhe kjo është një cilësi e frikshme’.





















You must be logged in to post a comment Login