Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka publikuar disa të dhëna që kanë ngjallur interes të madh publik lidhur me të ardhurat dhe përfitimet financiare të deputetëve të Kuvendit. Sipas tij, paga bazë bruto e një deputeti arrin në 1914 euro, një shifër që përbën bazën e kompensimit për punën parlamentare.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja shumë që mund të marrë një deputet gjatë ushtrimit të mandatit të tij. Sadiku ka bërë të ditur se angazhimi në komisione parlamentare sjell një rritje shtesë deri në 15 për qind mbi pagën bazë, duke e rritur kështu totalin mujor në varësi të rolit dhe përfshirjes së deputetit në punën legjislative.
Përveç pagës bazë dhe shtesave për komisione, deputetët përfitojnë edhe benefite të tjera që lidhen me ushtrimin e detyrës së tyre, përfshirë mbështetje administrative dhe mundësinë e angazhimit të një asistenti personal, i cili ndihmon në organizimin e punës parlamentare dhe detyrave të përditshme.
Publikimi i këtyre statistikave ka hapur diskutime në opinionin publik mbi nivelin e pagave në institucione shtetërore, transparencën e shpenzimeve publike dhe raportin mes të ardhurave të zyrtarëve të zgjedhur dhe standardit të jetesës së qytetarëve. Në një kohë kur çështjet ekonomike dhe kostoja e jetesës janë temë e përditshme debati, këto shifra kanë shtuar edhe më shumë interesimin për mënyrën se si funksionon sistemi i kompensimit në institucionet e larta shtetërore.
Në një publikim në profilin e tij në rrjetin social Facebook,Sadiku ka shkruar:
disa informata për pjesën financiare, pasi që kam pas shumë pyetje:
• Deputeti ka koeficientin 17.4, i cili shumëzohet me 110 → paga bazë bruto është rreth 1914 euro.
• Angazhimi në komisione parlamentare mund ta rrisë këtë pagë deri në +15% të pagës bazë.
• Deputeti ka të drejtë të angazhojë një asistent personal me koeficient 6.8.
Shumica e deputetëve i kanë këta asistentë, të cilët ndihmojnë në:
– punë operative
– rrjete sociale
– hulumtime
– aktivitete në terren
• Gjithashtu, deputetët përfitojnë edhe mbushje mujore telefonike, nëse kanë numër të Vala. Nuk e di sakte sa.
Gjithashtu,
javën e kaluar kam marrë edhe një laptop nga Kuvendi, i cili duhet të kthehet pas përfundimit të mandatit. I takon cdo deputeti.
Laptopi është Lenovo IdeaPad 5 – një laptop mesatar, por që mjafton për të gjitha punët e një deputeti. Mund të përdoret edhe si tablet.
• Deputetët që udhëtojnë kanë edhe shtesa për derivate (karburant), por nuk e di saktë sa janë këto shtesa.
Në përgjithësi, paga (rreth 2000 euro) është pagë mjaft e mirë dhe në nivel me rajonin.
Problemin kryesor e shoh te mungesa e fondeve që deputeti mund t’i përdorë për punë.
P.sh. në shumë shtete evropiane, deputetët kanë një fond të dedikuar për të angazhuar këshilltarë të jashtëm për projekte dhe fusha specifike.
Sepse realisht, një deputet nuk mund të ketë njohuri të thella në çdo fushë ku duhet të japë kontribut.
Unë, për shembull, jam pjesë e një komisioni që përfshin:
– dixhitalizimin
– mediat
– pushtetin lokal
– administratën publike
– zhvillimin rajonal
Të gjitha këto janë fusha që kërkojnë mbikëqyrje serioze dhe punë konkrete edhe në tema ku nuk kam pas përvojë të drejtpërdrejtë më herët.
Me shumë qef po e bëj këtë punë, përndryshe.




















