Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për pezullimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe refuzimin e gazit amerikan.
Ky reagim i Hoti vjen pasiqë Serbia gjatë kësaj jave do të nisë rundin e parë të dialogut strategjik me SHBA-në dhe ndërkohë ka pranuar gazin amerikan. “Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në.
Ndërsa, fqinji verior i Kosovës e nis këtë të premte raundin e parë të këtij dialogu me SHBA-në.
Po ashtu, Kosova, ka refuzuar të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet të shpërndahet gazi amerikan, i cili ka për qëllim uljen e varësisë nga gazi rus të vendeve të rajonin dhe më gjerë.
Në të njëjtën kohë, fqinji verior i Kosovës tashmë ka hyrë në marrëveshje të mëdha kontraktuale energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan.”, ka shkruar Hoti.
Nëse vazhdon kjo qasje, sipas tij, Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike.





















You must be logged in to post a comment Login