Deklarata e ministres së qeverisë së Serbisë se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, është artikulim i hapur i një ideologjie që nxit dhe mbështet luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Kështu është shprehur Përparim Rama, kryetari i Kryeqytetit.
Ai thotë se kjo është fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe është relativizim dhe legjitimim i një prej krimeve më të rënda që njeh e drejta ndërkombëtare. ‘Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar.
Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik.
Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm.
Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë’, ka shkruar Rama në Facebook.
Kryetari i Prishtinës kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës ‘të reagojnë me qartësi, dinjitet dhe vendosmëri’.





















You must be logged in to post a comment Login