Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, do të festojë 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit me një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive, të organizuara nga Komuna e Prishtinës.
Manifestimet synojnë të nderojnë dëshmorët e lirisë dhe të kujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit.
Homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve, nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, Seancë Solemne në Sallën e Kuvendit Komunal dhe Marshi i UÇK-së janë disa prej aktiviteteve që do të mbahen gjatë ditës.
Festimet do të kulmojnë me “Ndeshjen e Yjeve – Miqtë e Futbollit” në Stadiumin “Fadil Vokrri” dhe koncertin festiv në Sheshin “Skënderbeu” me Ansamblin “Bajram Curri”, Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ.
Dita e Çlirimit të Prishtinës simbolizon sakrificën për liri, kujtesën historike dhe mirënjohjen ndaj kontribuesve të çlirimit të vendit.





















You must be logged in to post a comment Login