Shkarkimin e Ministres Snezhana Paunoviq po e kërkon një pjesë e opozitës, ndërsa kërkesës i është bashkuar edhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Reagime të ashpra po vijnë edhe nga Bashkimi Evropian, i cili thekson se “në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që arsyeton dhe promovon spastrimin etnik”.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Sandro Gozi, deklaroi se “Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë bindëse se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërkohë që anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit”.
Politikanë nga Shqipëria dhe Kosova e shohin këtë retorikë si konfirmim të vazhdimit të politikës së Sllobodan Millosheviqit.
Ministrja “nuk heq dorë nga strategjia e partisë së saj”.
Pas reagimeve të forta, Snezhana Paunoviq publikoi një deklaratë ku, në vend që të distancohej nga fjalët e saj, shkroi se “nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila e udhëhoqi Serbinë në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira; një parti që bëri sakrifica të mëdha, emri i së cilës përmendej më së shumti në Hagë, një parti që nuk iu lut askujt për asgjë për të mbetur krenare dhe besnike ndaj ideve të veta.
Nuk heq dorë as nga strategjitë e partisë sime, të cilat u zgjodhën në rrethanat e kryengritjes së armatosur në një pjesë të shtëpisë që quhet Serbi”.
Një pjesë e opinionit publik në Serbi beson se deklarata të tilla synojnë të largojnë vëmendjen nga ngjarje të tjera.
Popoviq vlerëson se e gjithë kjo tregon se “jo vetëm që nuk është bërë distancim nga politika e viteve ’90, por ajo politikë madje po glorifikohet.
Partia Progresive Serbe e Vuçiqit dhe SPS e Daçiqit po vazhdojnë politikën e radikalëve dhe socialistëve nga vitet ’90-të, vetëm në rrethana të ndryshuara.
Kemi një radikalizim të diskursit publik dhe një shoqëri në prag të shpërthimit të dhunës, si verbale ashtu edhe fizike.
Reagime kanë ardhur edhe nga Bashkimi Evropian.
Popoviq mendon se “Komisioni Evropian, me kalimin e kohës, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të ruajë këtë qasje realpolitike, ku përpiqet me çdo kusht ta mbajë Serbinë në rrugën evropiane, ndonëse kjo qeveri prej kohësh është larguar nga ajo rrugë.
Ndoshta nuk është e lehtë as për njerëzit në Komision të vazhdojnë të mbyllin sytë, sepse pushteti i Alleksandar Vuçiqit po bëhet gjithnjë e më problematik.
Traumat e luftërave të humbura duket se vazhdojnë të jenë një temë përmes së cilës fitohen pikë politike në Serbi.
Përfundimtarisht, kjo tregon se kush ishin aktorët e politikës së asaj kohe.
Janë të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet”.





















You must be logged in to post a comment Login