Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka informuar qytetarët lidhur me një dukuri që është duke u shfaqur në zonën e përgjegjësisë, e cila, sipas tyre, po paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë financiare të qytetarëve.
Konkretisht, policia thotë se qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme, përmes të cilave njoftohen se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.
Në këto mesazhe përfshihet një lidhje e dyshuar, ku kërkohet nga qytetarët të fusin të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Pas futjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht xhirollogaria e tyre zbrazet.
Mos klikoni në lidhje të panjohura të pranuara përmes SMS apo aplikacioneve.
Mos ndani fjalëkalime, kode apo informata personale në platforma të pasigurta.
Nëse dyshoni për mashtrim, lajmëroni rastin menjëherë në polici.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin e veprimeve të kundërligjshme.