Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të cilët ngarkohen për kontrabandim migrantësh.
S.D., dyshohet si kryerës i veprës penale, ndërsa B.D., dhe A.F., dyshohen si bashkëkryerës.
Më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D., ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.
Akuzuari S.D., kishte marrë me qira një automjet, të cilin më pas ua kishte dorëzuar B.D., dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë – Serbi.
Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët.
Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej. 10 migrantët kishin paguar në total 25,000 euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.
Veprimet e dyshuara janë ndërprerë nga zyrtarët policorë, me ç’rast B.D., dhe A.F., janë ndaluar, ndërsa S.D., është larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.





















You must be logged in to post a comment Login