Në një reagim të tij, Gjini ka rikthyer në vëmendje projektet energjetike “Kosova C” dhe atë me kompaninë “ContourGlobal”, duke thënë se, sipas tij, Aleanca ka qenë e vetmja forcë politike që ka reaguar fuqishëm ndaj anulimit të tyre. ‘Kur është anuluar projekti energjetik ‘Kosova C’, vetëm Aleanca ka reaguar shumë fuqishëm.
Të tjerët e kanë mbyllur gojën, kush e di se pse?!’, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se e njëjta situatë është përsëritur edhe pas prishjes së projektit energjetik me “ContourGlobal”. ‘Kur u prish projekti energjetik me ‘ContourGlobal’, përsëri reagoi vetëm Aleanca’, ka deklaruar ai.
Sipas Gjinit, qeveria ka përdorur, siç i quan ai, “arsyetime nga më bizaret” për të mos zhvilluar kapacitetet e reja prodhuese të energjisë në Kosovë.
Ai ka ngritur kritika edhe për mënyrën se si po menaxhohet qymyri dhe energjia elektrike, duke pretenduar se Kosova po shet qymyr dhe më pas po detyrohet të blejë energji me çmime shumë më të larta. ‘Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë’, ka shkruar Gjini.
Kryetari i Aleancës e ka lidhur këtë situatë me, siç thotë ai, modelin e qeverisjes në vendet më të varfra. ‘Kështu u ndodh vendeve më të prapambetura në botë, atyre që quhen vendet e botës së tretë’, ka deklaruar ai.
Gjini ka theksuar se, sipas tij, problemi nuk qëndron te qytetarët e këtyre vendeve, por te mënyra e qeverisjes. ‘Dhe pa asnjë dyshim, kjo nuk ndodh ngaqë njerëzit atje janë të këqij, por sepse qeveritë e tyre janë të dëmshme dhe të korruptuara’, ka shkruar ai.
Në fund, Gjini ka paralajmëruar se, sipas tij, situata mund të përkeqësohet edhe më tej. ‘Po duket se ende asgjë nuk kemi parë.
Ky është karakteri i qeverisjes që 6 vite.
Dhe as nuk iu vjen turp!’, përfudnon reagimi i Gjinit.





















You must be logged in to post a comment Login