Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj rastit të fundit në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, duke e cilësuar situatën si një dështim komplet të sistemit shëndetësor.
Gjini ka vlerësuar lart denoncimin e nënës që publikoi pamjet nga spitali, ndërsa kritikoi ashpër masat e marra nga drejtoria për suspendimin e stafit të mesëm mjekësor.
Sipas kryetarit të Aleancës, kushtet brenda klinikës reflektojnë një realitet të hidhur të cilin institucionet po tentojnë ta fshehin përmes ndëshkimit të punëtorëve të thjeshtë.
Gjini ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi destinacionin e buxhetit të shtetit duke pyetur publikisht: ‘400 milionë ku janë t’u shku, a i intereson dikujt?’, tha Gjini.
Më tej, ai e ka quajtur të papranueshme tendencën për të shkarkuar fajin tek infermierët dhe mbikëqyrësit.
Gjini ka deklaruar se suspendimi i tyre është bërë vetëm për të mbuluar problemin e madh që ka ngritur një zonjë qytetare e përgjegjshme, duke shtuar se përgjegjësia duhet të jetë krejtësisht morale dhe menaxheriale në nivelet më të larta. ‘Nëse kishte ndodhë një aksident, ish kanë marre unë me dalë me thanë drejtori e ministri me dhanë dorëheqje, por po ju garantoj që krejt dyshekët janë qesi, pos ato dy dhoma që i ka pre shiritat krejt janë të njëjtë tjerat’.
Në përmbyllje, Gjini ka theksuar se kjo situatë nuk mund të fshihet pas vendimeve disiplinore ndaj stafit të mesëm, sepse kjo piramidë dështimi shkon deri në majat e saj drejtuese.
Ai ka sqaruar se nëse ministri dhe drejtori nuk e kanë ditur se në çfarë gjendje të tmerrshme ndodhet spitali, ata duhet të japin dorëheqje menjëherë. ‘A po dojnë me thanë që drejtori e ministri se kanë ditë?
Këta duhet me dhanë dorëheqje, sepse nëse nuk e kanë ditë janë të paaftë me kry punën, nëse e kanë ditë e s’kanë bo kurgjo nuk po u intereson, shkon kjo piramidë’.
Për këtë arsye, ai ka përsëritur se situata në Pediatri nuk është një moment i izoluar, por ‘një gjendje komplet dështim’, deklaroi Gjini në ‘Pressing’.





















You must be logged in to post a comment Login